Me daljen në kinema të filmit “Dracula: Dashuria e Humbur” (2025) të regjisorit Luc Besson, rikthehet në qendër të vëmendjes figura enigmatike që frymëzoi legjendën e vampirit më të famshëm në botë. Por kush ishte në të vërtetë Vlad III i Vllahisë (1431–1476), njeriu që qëndron pas mitit të Kontit Drakula?
Vlad III – Njeriu pas mitit
Në një pikturë të shekullit XIX, Vlad III i Vllahisë, i njohur si Tepes (“Ngulësi”) dhe Dràculea (“Biri i Dragoinit” ose “i Djallit”), paraqitet duke pritur të dërguarit e Sulltanit. Ai ishte princ rumun që sundoi në mes të shekullit XV dhe u bë i famshëm për ashpërsinë e tij ndaj armiqve, veçanërisht kundër osmanëve që kërcënonin Vllahinë.
Hero apo përbindësh?
Në Rumani, Vlad III konsiderohet hero kombëtar dhe mbrojtës i pavarësisë së vendit. Por në Evropën Qendrore e Perëndimore, ai u përshkrua si një përbindësh i etur për gjak.
Kjo ishte kryesisht pasojë e propagandës armiqësore së kohës, e cila e paraqiti si tiran mizor për të trembur aleatët dhe për të justifikuar pushtimet.
Lindja e “legjendës së zezë”
Historitë më të errëta për Vladin filluan të përhapen në fund të shekullit XV në formën e rrëfimeve sensacionale dhe pamfletesh të shtypura në Gjermani e Austri.
Këto tregime përshkruanin dënimet e tij makabre, banketet mes trupave të shpuar dhe aktet e tij të egra – imazhe që më vonë do të frymëzonin shkrimtarin Bram Stoker në romanin e tij të famshëm “Dracula” (1897).
Edhe pse lidhja mes tyre është më shumë simbolike sesa historike, emri “Drakula” u mor drejtpërdrejt nga titulli i Vladit.
Murtaja dhe miti i vampirëve
Në Evropën Mesjetare, besimi në vampirë dhe ringjallje të të vdekurve lidhej ngushtë me epidemitë e murtajës. Kufomat e ruajtura në mënyrë të pazakontë shpesh ngjallnin frikë dhe besohej se të “vdekurit” po ktheheshin për të marrë gjakun e të gjallëve.
Këto besime u bashkuan me imazhin e Vladit mizor, duke formuar mitin e Kontit të errët që ushqehej me gjak.
Ngulësi në shpatë
Metoda famëkeqe e nguljes në shpatë, nga e cila rrjedh edhe epiteti i tij Tepes, nuk ishte shpikje e Vladit.
Ajo u soll në rajon nga kryqtarët e shekullit XIII, por Vlad e përdori me qëllim si mjet terrori politik e psikologjik.
Sipas kronikave, ushtritë armike shpesh tërhiqeshin nga “pyjet e trupave të shpuar” që ai linte pas – një shfaqje e tmerrshme që përforconte reputacionin e tij të frikshëm.
Trashëgimia
Megjithë përmasat e errëta të legjendës, historia e Vlad III Drakulës është ajo e një sundimtari të fortë dhe strategu të pamëshirshëm, i formuar në një kohë mizore.
Për rumunët, ai mbetet simbol i rezistencës dhe i qëndresës kombëtare; për botën, burimi i një prej miteve më të pavdekshme të kulturës moderne.
Përgatiti për botim: L.Veizi
