Përgatiti: Leonard Veizi
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një nga arkitektët më famëkeq të Holokaustit jetonte i fshehur në Amerikën Latine, me identitet të rremë dhe larg syve të botës. Por kujtesa e miliona viktimave nuk ishte shuar. Në pranverën e vitit 1960, shërbimi sekret izraelit ndërmori një nga operacionet më të guximshme të historisë moderne: kapjen e nazistit Adolf Ajhman në Argentina.
Ajhman kishte qenë një nga figurat kyçe të makinerisë naziste të shfarosjes. Anëtar i partisë naziste austriake, ai u ngrit me shpejtësi në hierarkinë e regjimit falë zellit fanatik në ndjekjen dhe deportimin e hebrenjve. Në vitin 1938 ai drejtoi zyrën austriake për emigracionin hebre, ndërsa një vit më vonë u emërua shef i seksionit hebraik të Gestapo.
Nën urdhrat e tij u organizuan deportimet masive drejt kampeve të përqendrimit dhe shfarosjes. Ajhman ishte një nga burokratët kryesorë të “zgjidhjes finale”, planit nazist për zhdukjen sistematike të hebrenjve europianë. Ai mbikëqyri transportimin e miliona njerëzve drejt vdekjes dhe nxiti përdorimin industrial të dhomave të gazit në kampet naziste.
Pas rënies së Gjermanisë Naziste, Ajhman u arrestua nga aleatët në vitin 1945, por arriti të arratisej. Për vite me radhë ai jetoi në fshehtësi, derisa përfundoi në Argjentinë nën emrin e rremë “Ricardo Klement”. Aty punonte në heshtje, duke besuar se e kaluara e tij ishte zhdukur bashkë me rrënojat e Rajhut të Tretë.
Por agjentët e Mossad nuk reshtën së kërkuari. Pas muajsh vëzhgimi dhe konfirmimesh sekrete, ata organizuan rrëmbimin e tij më 11 maj 1960, pranë Buenos Aires. Ajhman u kap në errësirë, teksa kthehej nga puna në shtëpi. Më pas u mbajt fshehurazi për disa ditë dhe u nxor ilegalisht nga Argjentina në bordin e një avioni izraelit.
Lajmi tronditi botën. Për herë të parë, një nga organizatorët kryesorë të Holokaustit do të përballej publikisht me drejtësinë.
Gjyqi i Ajhman nisi në Jerusalem në vitin 1961 dhe u ndoq me vëmendje globale. Përmes dëshmive rrëqethëse të të mbijetuarve, bota dëgjoi sërish për trenat e vdekjes, kampet e përqendrimit dhe makinerinë industriale të shfarosjes naziste.
Ajhman u shpall fajtor për krime kundër popullit hebre, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Në vitin 1962 ai u ekzekutua me varje – një nga rastet e rralla kur Israel zbatoi dënimin me vdekje.
Operacioni për kapjen e Adolf Ajhman mbetet edhe sot simbol i ndjekjes së drejtësisë përtej kufijve dhe kohës, një kujtesë se krimet kundër njerëzimit mund të fshihen për vite, por jo të harrohen.
