Nga një futbollist i dëmtuar shpesh, te fitues i Topit të Artë dhe një nga yjet kryesorë të Francës në Kupën e Botës 2026 – transformimi i Ousmane Dembeles ka bërë shumë tifozë të pyesin se çfarë fshihet pas këtij ndryshimi të madh.
Sipas shumë fansave dhe njerëzve pranë futbollistit, një ngjarje e rëndësishme në jetën e tij private mund të ketë luajtur një rol të madh në këtë kthesë.
Në dhjetor të vitit 2021, Dembele u martua me partneren e tij prej shumë vitesh, Rima, në një ceremoni tradicionale private marokene.
Një vit më pas, çifti u bë prindër për herë të parë, me ardhjen në jetë të vajzës së tyre.
Që prej asaj periudhe, ylli i Paris Saint-Germainit është shfaqur më i qetë, më i disiplinuar dhe më i përqendruar, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Puna e tij e madhe është shpërblyer, pasi PSG-ja ka fituar dy tituj radhazi të Ligës së Kampionëve, me Dembelen në qendër të suksesit të skuadrës.
Performancat e tij të jashtëzakonshme e çuan gjithashtu drejt fitimit të Topit të Artë.
Vetë futbollisti francez ka pranuar së fundmi se krijimi i familjes ndryshoi mënyrën se si ai e shihte karrierën.
“E kuptova se duhej të punoja më shumë, të bëhesha më i fortë, të ushqehesha mirë dhe të flija siç duhet”, ka deklaruar Dembele, duke treguar se roli i babait e bëri të kujdesej më shumë për trupin dhe përgatitjen fizike.
Personat pranë sulmuesit francez besojnë se bashkëshortja e tij i ka dhënë stabilitetin që i kishte munguar më herët në karrierë.
Raportohet se Dembele ka ndryshuar ndjeshëm zakonet e tij: ka ndjekur një regjim më të rreptë ushqimor, ka punuar rregullisht me fizioterapistë dhe ka përqafuar një rutinë shumë më profesionale.
Edhe pse martesa nuk mund të jetë arsyeja e vetme e ringritjes së tij, shumë figura brenda futbollit besojnë se ajo shënoi fillimin e kapitullit më të suksesshëm të karrierës së Ousmane Dembeles, nga problemet e vazhdueshme me dëmtimet, te statusi i një kampioni të madh dhe një prej liderëve të Francës në Kupën e Botës. /ET


