Last Updated on 10/04/2026 by EL
Ditën e sotme është regjistruar një fluks i lartë lëvizjesh në pikën kufitare të Kapshticës, në prag të festës së Pashkës. Kjo situatë vjen si pasojë e kthimit të emigrantëve në vend për të kaluar festat pranë familjarëve të tyre.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit në territorin shqiptar, përmes kësaj pike kufitare kanë hyrë 7 475 shtetas, ndërsa kanë dalë 2 741 shtetas, duke konfirmuar një rritje të ndjeshme të hyrjeve në raport me daljet.
Lëvizjet më të mëdha janë regjistruar gjatë orëve të pasdites, ku është parë edhe një fluks i shtuar automjetesh. Megjithatë, situata paraqitet e menaxhueshme.
Autoritetet kufitare, për të përballuar këtë situatë kanë shtuar sportelet në funksion dhe po punojnë me kapacitete të plota, me qëllim shmangien e pritjeve të gjata dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët.
Fluksi pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa afrimi i Pashkës Ortodokse tradicionalisht shoqërohet me rritje të hyrje-daljeve në pikat kufitare, veçanërisht në juglindje të vendit./et
