Last Updated on 28/05/2026 by EL
Nga Milano në Paris, e deri në Spanjë, Europa po përballet gjithnjë e më shpesh me temperatura ekstreme, të cilat do të arrijnë rekorde në pesë vitet e ardhshme.
Ekspertët vlerësojnë se probabiliteti është 91% që temperatura mesatare globale të kalojë pragun 1.5 gradë Celsius për të paktën një vit deri në vitin 2030.
“Temperaturat globale pritet të vazhdojnë të jenë në nivele rekord ose pranë tyre gjatë pesë viteve të ardhshme. Ekziston një mundësi shumë e lartë që një nga këto vite të thyejë rekordin aktual të vitit 2024. Gjithashtu, ka 91% mundësi që temperatura globale të kalojë pragun 1.5 gradë Celsius për të paktën një vit”, tha shkëncëtarja e Klimës në Britani, Melissa Seabrook.
Raporti paralajmëron gjithashtu se temperaturat në Arktik do të rriten me ritme shumë më të shpejta sesa pjesa tjetër e planetit.
Shkrirja e akullnajave dhe reduktimi i akullit detar pritet të shtohet në zonat veriore.
Ekspertet paralajmërojnë se fenomeni El Nino, që pritet të forcohet gjatë këtij viti, mund të shtyjë temperaturat globale drejt rekordeve të reja.
“Deri në fund të këtij viti pritet të hyjmë në një fazë të re të fenomenit El Nino. Ky fenomen rrit temperaturat globale për shkak të ngrohjes së Oqeanit Paqësor”, shtoi shkencëtarja Seabrook.
Megjithatë, shkencëtarët sqarojnë se tejkalimi i përkohshëm i pragut 1.5 gradë Celsius nuk nënnkupton dështimin e Marrëveshjes së Parisit, pasi objektivi matet në bazë të mesatares afatgjatë prej 20 vitesh.
Por sipas tyre, çdo rritje e mëtejshme e temperaturës do të sjellë pasoja më të rënda për njerëzit dhe mjedisin.
“Dritarja për ta mbajtur ngrohjen globale në nivelin 1.5 gradë po mbyllet me shpejtësi. Çdo e dhjeta e një grade shtesë sjell ndikime më të rënda dhe më të rrezikshme”, përfundoi ajo.
Raporti parashikon gjithashtu reshje më intensive në Europën Veriore dhe thatësira më të forta në Amazonë./et
