Last Updated on 28/05/2026 by EL
Në Rripin e Gazës po zgjerohet gradualisht e ashtuquajtura “Vija e Verdhë”, një zonë tampon e kontrolluar nga Izraeli, që sipas banorëve po shndërrohet nga një masë e përkohshme sigurie në një kufi të ri të përhershëm.
Banorët palestinezë tregojnë se vija po zhvendoset çdo natë drejt perëndimit, duke ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirën jetike në enklavë. Në disa zona ajo ka arritur deri në gjysmën e rrugës Salah al-Din, arteria kryesore që lidh veriun me jugun e Gazës, duke paralizuar lëvizjen nga frika e sulmeve.
“Netanyahu po na shtyn ngadalë drejt detit”, thotë Mohammed Shbair, shofer taksie nga Khan Younis. Sipas tij, zona ku dikur prisnin klientët është kthyer tashmë në simbol të izolimit dhe frikës.
Sipas dëshmive të banorëve, milici palestineze që bashkëpunojnë me ushtrinë izraelite hyjnë nëpër banesa dhe japin urdhra evakuimi për familjet që jetojnë pranë vijës. T’i afrohesh zonës konsiderohet jashtëzakonisht e rrezikshme, ndërsa kalimi përtej saj përshkruhet si “vdekje e sigurt”.
Në qendër të Gazës, pranë Al-Maghazi, banorët raportojnë se eskavatorë dhe buldozerë po hapin hendekë dhe po ndërtojnë barriera dheu, të mbrojtura nga mjete ushtarake izraelite. Shumë palestinezë dyshojnë se po krijohet një strukturë e përhershme ndarëse.
Ndërkohë, plani i administratës Trump për stabilizimin e Gazës duket se ka ngecur. “Board of Peace” mbetet pa financime, ndërsa komiteti palestinez që duhej të administronte Gazën vazhdon të jetë i bllokuar në Kajro, për shkak të mungesës së një force ndërkombëtare sigurie. Hamasi, nga ana tjetër, nuk ka pranuar të dorëzojë armët.
Sipas banorëve, përveç “Vijës së Verdhë” ekziston edhe një tjetër brez i padeklaruar sigurie, që ata e quajnë “Vija Portokalli”, një zonë ku askush nuk mund të afrohet për shkak të rrezikut nga snajperët. Duke përfshirë edhe këtë hapësirë, palestinezët thonë se mbi 60 për qind e territorit të Gazës është bërë praktikisht i paarritshëm.
Në zonat e ndaluara vazhdojnë të mbeten trupa nën rrënoja dhe mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur. Banorët raportojnë gjithashtu për shkatërrim të infrastrukturës civile dhe tokave bujqësore në afërsi të zonës tampon.
“Përtej Vijës lëvizin vetëm ushtarë izraelitë, qen endacakë dhe bashkëpunëtorë”, thotë Said Al-Abadla, një fermer nga Al-Qarara, i cili ka humbur serat dhe pusin e ujit që kishte në zonë./et
