Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është shprehur se ka zhvilluar një bisedë telefonike shumë konstruktive me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner.
Zelensky tha se kishin diskutuar se si të siguroheshin që Rusia t’i përmbahej çdo marrëveshjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës dhe theksoi se ishte i vendosur të vazhdonte të punonte me SHBA-në.
“Sapo pata një telefonatë të gjatë dhe domethënëse me Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner, së bashku me Andrii Hnatov dhe Rustem Umerov. Jam mirënjohës për një diskutim shumë të fokusuar dhe konstruktiv. Ne mbuluam shumë aspekte dhe shqyrtuam pikat kryesore që mund të siguronin fundin e luftës dhe të eliminonin kërcënimin e një pushtimi të ri rus në shkallë të plotë, si dhe rrezikun e dështimit të Rusisë për të mbajtur premtimet e saj, siç ka ndodhur vazhdimisht në të kaluarën.
Ukraina është e vendosur të vazhdojë të punojë me mirëbesim me palën amerikane për të arritur vërtet paqen. Ne ramë dakord për hapat dhe formatet e ardhshme për bisedime me Shtetet e Bashkuara. Falënderoj Presidentin Trump për një qasje kaq intensive ndaj negociatave.
Tani pres Rustem Umerov dhe Gjeneral Hnatov me një raport të detajuar personalisht. Jo gjithçka mund të diskutohet në telefon, kështu që duhet të punojmë ngushtë me ekipet tona për ide dhe propozime. Qasja jonë është që gjithçka duhet të jetë e realizueshme – çdo masë thelbësore për paqen, sigurinë dhe rindërtimin. Faleminderit!”, shkruan Zelensky në postimin e tij në “X”.
Nga ana tjetër, Moska nuk duket se ka bërë ndonjë lëshim dhe vazhdon të kryejë bombardime masive të Ukrainës. Sulmi i kryer gjatë natës në territorin ukrainas u dënua nga aleatët e Ukrainës në BE.
Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se kishte folur me Zelenskyn dhe i kishte ofruar solidaritetin e tij të plotë.
“Franca është e vendosur të punojë me të gjithë partnerët për të siguruar masa për uljen e tensioneve dhe për të imponuar një armëpushim”, u shpreh Macron.
Më parë, presidenti francez konfirmoi se do t’i bashkohej Zelensky-t, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Sir Keir Starmer dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz në bisedimet në Londër të hënën.
