Last Updated on 06/12/2025 by Monika
Të rinjtë e zonave rurale të Elbasanit, në një aktivitet të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit dhe deputete të qarkut, janë njohur me mundësitë dhe mekanizmat se si mund të përfitojnë nga Garancia Rinore.
Deputetja e Elbasanit, Sara Mila në fjalën e saj me të rinjtë ndau një moment personal, i cili tha ajo e ka nxitur për të qenë më pranë këtyre të rinjve, jo vetëm për t’u prezantuar një mundësi, por edhe për t’i mbështetur ata nga ana teknike se si të bëhen përfitues të kësaj iniciative.
“Adela, një vajzë që që kam takuar në Gracen, më tha tekstualisht; kur vjen puna tek të rinjtë e zonave rurale, gjithmonë fokusohemi tek ata që ikin dhe asnjëherë nuk fokusohemi sa duhet tek ata që vendosin të rrinë në zonat rurale. Kjo më ka goditur si fjali dhe këtu lindi dhe ideja për të organizuar këtë aktivitet bashkë me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, po edhe për të punuar më shumë, për të lidhur tashmë potencialin me tregun e punës dhe mundësitë që mund të vijnë për të zhvilluar aftësitë profesionale aty ku të rinjtë jetojnë”, tha Mila.
Garancia Rinore, është një iniciativë e financuar nga Bashkimi Europian, e cila synon të garantojë që çdo person i ri i papunë të ketë mundësinë për të siguruar punësim, për formim profesional, apo për të vazhduar arsimin. Për të rinjtë që do të bëhen pjesë e kësaj nisme, gjithashtu ofrohet edhe mbështetje dhe mentorim i personalizuar.

Në panelin e diskutimit të rinjtë, kërkuan të dinim më tepër mbi mënyrat e aplikimit, mekanizmat, çfarë ofron konrektisht dhe ku të orientohen projektet e tyre për të përfituar, për të cilat morën premtimin dhe angazhimin personal të deputetes Mila për t’i mbështetur dhe për të qenë pranë tyre.

Garancia Rinore këtë vit ka qenë i pilotuar në qarqet Shkodër, Vlorë dhe në Tiranë, ndërsa në vijim do të fillojë identifikimi i potencialit rinor nga AKR në qytetet e tjera, përfshirë dhe Elbasanin.
Prioritet do të kenë zonat rurale në klasifikimin e projekteve, të cilat mund të financohen deri në 10 milionë lekë të vjetra.
