Last Updated on 09/04/2026 by Anisa
Partia Demokratike ka kundërshtuar ligjin për portet turistike duke shprehur shqetësimin për devijim nga praktikat evropiane, konkurrenca e ndershme dhe transparenca.
Jorida Tabaku, në cilësinë e nënkryetares së Komisionit të Stabilizim-Asociimit në Kuvendin e Shqipërisë, për një letre drejtuar ambasadorëve të BE, Gjermanisë, Mbretërisë së Holandës si dhe Komisionerit për Transport dhe Konkurrencë, Apostolos Tzitzikostas, Komisionerit për Konkurrencën, Teresa Ribera rendit shqetësimet e PD lidhur me këtë ligj.
“Amendimi i propozuar në ligjin për portet turistike parashikon që, në rastet kur një projekt pajiset me statusin “investim strategjik”, investitori mund të ndërtojë dhe operojë portin turistik drejtpërdrejt, pa iu nënshtruar procedurave konkurruese apo koncesionare, ndërkohë që elemente të rëndësishëm të këtij procesi delegohen për t’u përcaktuar përmes vendimeve të mëtejshme të Këshillit të Ministrave. Nga këndvështrimi i konkurrencës, kjo qasje ngre shqetësime në dritën e Nenit 71 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, i cili kërkon shmangien e çdo mase që mund të shtrembërojë konkurrencën. Dhënia e të drejtave ekskluzive një subjekti të vetëm, jashtë çdo procedure të hapur dhe konkurruese, rrezikon të krijojë avantazhe selektive dhe të përjashtojë operatorët e tjerë nga tregu, duke dobësuar parimet e konkurrencës së ndershme dhe të barazisë së kushteve. Në të njëjtën kohë, kjo nismë ngre shqetësime edhe në raport me parimet e Kapitullit 5 (Prokurimi Publik), ku procedurat e hapura, transparenca dhe trajtimi i barabartë janë thelbësore për menaxhimin e aseteve publike. Nga këndvështrimi i transportit, propozimi prek drejtpërdrejt mënyrën e menaxhimit dhe zhvillimit të infrastrukturës portuale, e cila në vendet e Bashkimit Europian konsiderohet pjesë e infrastrukturës strategjike dhe i nënshtrohet kuadrove të qarta rregullatore që garantojnë akses jodiskriminues, transparencë dhe mbikëqyrje efektive. Integrimi i të drejtave për zhvillimin e një porti brenda një projekti privat, pa procedura konkurruese përbën një devijim nga parimet dhe praktikat e konsoliduara evropiane”, thuhet në letrën e Tabakut.
