Sipas analistit Aleksandër Çipa, përpjekja e Sali Berishës për të injoruar zgjedhjet dhe për të mos bërë një analizë të thellë të humbjes, është një strategji e dështuar. I ftuar në “Të Pashoq”, Çipa argumenton se PD ka humbur katër vite të çmuara në konflikte dhe stagnacion, dhe çdo përpjekje e Berishës për të qëndruar në krye si një ‘nun’ apo ‘kumbari’ që përcakton pasardhësin, vetëm sa e dëmton më shumë partinë. Lidhur me paralajmërimet për protesta masive dhe ngritjen e një ‘çadre’, Çipa shprehet skeptik, duke i cilësuar si metoda të konsumuara që vështirë se mund të prodhojnë rezultat politik. Ai vë në dyshim nëse Berisha ka ende kredibilitetin dhe energjinë e nevojshme publike për të udhëhequr ‘revolucionin’ që premton, duke theksuar se opozitës i nevojitet një lidership i ri dhe një qasje e re për të rifituar besimin e qytetarëve.
Çipa: Zoti Berisha mendoi se do të ndërtonte një alibi me procesin e pjesshëm të pesë njësive administrative të datës 9 nëntor. Mirëpo kjo me sa duket nuk e kreu atë funksion që paramendoi zoti Berisha. Dhe nëse e vutë re, në ditën e sotme ai në daljen publike kërkoi një ndjesë dhe madje ju rikthye procesit të analizës për zgjedhjet e 11 majit. Më herët e kishte refuzuar një proces të tillë ose e kishte tejkaluar ose anashkaluar edhe pse zëra të ndryshëm brenda Partisë Demokratike këmbëngulën që të kryhet një proces i analizës për procesin e 11 majit. Dhe në këtë këndvështrim mendoj që ky presion i ardhur nga baza, nga anëtarësia dhe nga aktorë të tjerë të spektrit opozitar në vend, është detyrim dhe imponimi i një reagimi publik që po bën kryetari i opozitës.
-Po pas të dielës në fakt kemi parë një reagim më intensiv nga radhët e demokratëve që tashmë shpresa ka humbur, të gjithë janë pasivë, duhet të lëvizë diçka, nuk shkon kështu, janë shtuar paksa zërat. Në pikëpamjen e strukturimit. Do të prodhojë gjë e kam fjalën në afatshkurtër.
Çipa: Mendoj që po. Sepse në pikëpamjen e strukturimit Partia Demokratike e ka konsumuar gjithë kohën e pritshmërisë për ta realizuar këtë gjë. Pikërisht. Sepse tre vitet e krizës së brendshme të Partisë Demokratike dhe gati një vit që është pas asaj krize po bëhen katër vite që është një kohë e plotë e humbjes në gjithë kuptimin e fjalës së përgjegjësisë politike dhe të energjizmit për t’u ristrukturuar vetjakisht Partia Demokratike.
-Çfarë do i këshillonit ju aktualisht zotit Berisha?
Çipa: E para njëherë ka nevojë që ai të ndërtojë një marrëdhënie të re me lidership të ri të opozitës, që do të thotë të gjithë aktorët që kanë një peshë specifike në artikulim, në paraqitje të programit, të alternativave opozitare dhe në mënyrë të veçantë të energjisë për të dhënë një, le të themi, protagonizëm ndryshues brenda opozitës duhet t’u hapë rrugë.
-Po vetë duke u tërhequr?
Çipa: Nuk mendoj që ai e ka më. Zgjedhjet me sa di në prill të vitit tjetër mbahen për kreun e PD-së. Unë mendoj që koha që e mban peng për të zgjedhur një pasardhës të tij është një kohë që e dëmton edhe më shumë Partinë Demokratike. Çdo pritshmëri e Partisë Demokratike për të lindur në një moment të caktuar një zoti Berisha si një nun i pasardhësit të vet është kohë e humbur dhe padyshim është një kosto e shumëfish që po i shkaktohet forcës kryesore të opozitës.
– Këto ditë Berisha ka paralajmëruar përsëritjen e skenarit Allah Basha po them deri diku, ngritjen e një lloj çadre si dikur përpara kryeministrisë, një lloj platforme kjo, janë paralajmëruar protesta megjithëse nuk ka një datë konkrete për një protestë të mundshme kombëtare. Ky aksion do të shërbejë për?
Çipa: Ne në fakt jemi të gjithë të mbarsur me skepticizëm ndaj kësaj forme, e cila është konsumuar nga Partia Demokratike në historinë e dhjetë viteve të fundit. Ky rikonsumim i kësaj forme apo le të themi i kësaj regjie politike për t’u përballur me kundërshtarin, mund t’i shkaktojë edhe një kosto shumë herë më të madhe nga ajo që ndoshta u ndje aq shumë në tre vitet e krizës së brendshme të Partisë Demokratike. Prandaj, përgatitja e një strukture të reagimit dhe të refuzimit, të aksionit politik dhe sidomos të rritjes së kapaciteteve opozitare prej opozitës, është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e zotit Berisha. Ai e ndjen këtë gjë, por unë nuk dua të besoj se ka energjinë e mjaftueshme dhe besueshmërinë e mjaftueshme publike për të qenë ai gjeneratori i këtij revolucioni që e premton si të tillë. Nga ana tjetër, ëh marrëdhënia që kanë lidershipet e dy kaheve është një marrëdhënie problematike me elektoratin, me qytetarët e këtij vendi, të cilët jo vetëm që tashmë e kanë konsumuar besimin ndaj tyre, por përkundrazi janë në pritshmëninë e lindjes së një të trete që ajo unë nuk e shoh në horizont të shfaqet, ëhë, por që është utopia e natyrshme e shoqërive që e zgjatin kaq shumë stanjacionin. m.p.
