Last Updated on 16/07/2025 by adminfjala
SPAK gjatë hetimeve, ka zbuluar një ngjarje kriminale të dyshuar të ndodhur në vitin 2020.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është drejtuar komisariateve të policisë në Elbasan dhe Librazhd me kërkesën për të verifikuar nëse në vitin 2020 është raportuar ndonjë grabitje apo rast pengmarrjeje, të cilat përmenden gjatë bisedave të përgjuara mes disa personave aktualisht nën hetim.
Nga transkriptet e këtyre komunikimeve, del në pah një bisedë mes një zyrtareje të përfshirë në një tjetër çështje penale dhe disa të afërmve të saj. Gjatë kësaj bisede, ajo flet për një grabitje që ka ndodhur në banesën e tyre, ku pretendohet se janë vjedhur 200 mijë euro.
Po ashtu, shtetasja e dyshuar, L. Skeja, shfaqet e shqetësuar për rrëmbimin e të vëllait nga persona të armatosur dhe të maskuar. Grabitësit, sipas saj, e morën atë me vete pas grabitjes për të mos lejuar njoftimin e policisë. SPAK, në kuadër të hetimit me nr. 175/1, ka kërkuar shpjegime nga shtetasja në fjalë mbi origjinën e shumës së mëdha të parave. Ajo ka deklaruar se paratë kishin ardhur nga të afërm të saj që jetojnë në Greqi.
Hetimi u nxit nga një procedim penal i nisur nga prokurori Elvin Gokaj, i cili gjatë hetimeve për disa zyrtarë të Komisionit të Prokurimeve Publike hasi në të dhëna që lidheshin me këtë ngjarje kriminale.
Sipas burimeve të Top Channel, hetimet për rastin e grabitjes janë ndarë nga dosja kryesore. Ndërkohë, për çështjen fillestare që lidhet me shkeljen e barazisë në tendera janë marrë të pandehur 11 persona, përfshirë edhe Jonaid Myzyrin. m.p.