Aktori i njohur Penn Badgley ka vendosur të mos interpretojë më skena erotike në ekran, një vendim që, sipas bashkëshortes së tij, Domino Kirke, lidhet me shëndetin e tij mendor dhe vendosjen e kufijve personale.
Badgley, i njohur veçanërisht për rolin e Joe Goldberg në serialin “You”, bëri publik vendimin e tij që në shkurt të vitit 2023. Gjatë një episodi të podcastit të tij “Podcrushed”, aktori tregoi se i kishte komunikuar krijueses së serialit se nuk dëshironte të vazhdonte të realizonte skena me përmbajtje seksuale para kamerave.
Pak më vonë, në një intervistë për Variety, ai shpjegoi se për të ishte e rëndësishme që në jetën reale të mos realizonte më skena të tilla.
“Besnikëria në marrëdhënien time. Është e rëndësishme për mua”, ishte shpjegimi i aktorit.
Bashkëshortja mohon se ishte ajo pas vendimit
Vite pas deklaratës së Badgley, bashkëshortja e tij, Domino Kirke, reagoi ndaj disa pretendimeve që qarkullonin në internet. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ajo tha se ishte akuzuar se kishte qenë vetë ajo që i kishte kërkuar bashkëshortit të hiqte dorë nga skenat erotike.
Kirke e mohoi këtë dhe theksoi se vendimi ishte marrë nga vetë aktori për arsye që lidhen me shëndetin e tij mendor.
“Para disa vitesh, interneti vendosi se isha unë ajo që i kisha kërkuar bashkëshortit tim të ndalonte së bëri skena erotike. E vërteta është se bashkëshorti im vendosi ta bënte këtë për arsye të shëndetit mendor”, tha ajo.
Sipas Kirkes, Badgley ka qenë pjesë e industrisë së argëtimit që në moshën 12-vjeçare dhe, pas shumë vitesh në këtë profesion, kishte ardhur momenti që të vendoste kufij më të qartë.
“Duke qenë se ka punuar në industri që kur ishte vetëm 12 vjeç, më besoni, kishte ardhur koha”, u shpreh ajo.
“Vendosi një kufi dhe lejoi botën ta shihte siç është”
Kirke foli gjithashtu për mënyrën se si industria e argëtimit mund t’i trajtojë aktorët, veçanërisht ata që kanë nisur karrierën që në fëmijëri.
Ajo pretendoi se në industrinë e argëtimit aktorët shpesh quhen “marioneta” pas shpine dhe se kjo është edhe më shqetësuese kur bëhet fjalë për persona që kanë nisur të punojnë si fëmijë.
Sipas saj, pas vitesh përpjekjesh, Badgley vendosi të vendoste një kufi personal.
“Pas vitesh përpjekjesh, Penn vendosi të vendoste një kufi dhe ta linte botën ta shihte ashtu siç është në të vërtetë. Dhe e dini çfarë? Nuk humbi fansat dhe vazhdon të marrë role”, tha Kirke.
Domino Kirke deklaroi gjithashtu se ndihet krenare për vendimin e bashkëshortit të saj dhe për mënyrën se si ai ka zgjedhur të vendosë kufij në jetën personale dhe profesionale.
Ajo vuri në dukje se personazhet që Badgley ka interpretuar ndër vite kanë krijuar te publiku një pritshmëri që ai të vazhdojë të luajë të njëjtin lloj rolesh.
“Personazhet që bashkëshorti im ka interpretuar ndër vite kanë bërë që njerëzit të presin që ai të vazhdojë të luajë këtë lloj karakteri. U gëzova shumë për të dhe u ndjeva shumë krenare, sepse e kuptoja sa e rëndësishme ishte kjo për të”, tha ajo.
Në fund, Kirke e përshkroi vendimin e aktorit si një çështje të vendosjes së kufijve të shëndetshëm brenda një marrëdhënieje, duke theksuar se vendimi nuk kishte ardhur si pasojë e një kërkese të saj./mxh
