Bumi i inteligjencës artificiale po transformon ekonominë e San Franciskos, duke krijuar mundësi të reja biznesi, vende pune dhe investime. Por, ndërsa qyteti përjeton një rigjallërim ekonomik, po shtohen edhe shqetësimet se kjo rritje mund të jetë një flluskë që rrezikon të shpërthejë.
Një shembull i ndikimit të këtij bumi është Lauren Goldboss, pronare e një biznesi të vogël për shëtitjen e qenve. Falë shërbimit të saj të ri, Paw Perk, që ofron shëtitje me qen për punonjësit e kompanive të inteligjencës artificiale, ajo ka zgjeruar aktivitetin, ka punësuar staf dhe ka blerë furgonë të rinj, shkruan BBC.
Rasti i saj tregon se përfitimet nga zhvillimi i inteligjencës artificiale nuk kufizohen vetëm te kompanitë e teknologjisë, por po shtrihen edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.
San Francisko, që gjatë pandemisë humbi një pjesë të konsiderueshme të banorëve dhe vuajti pasojat e punës në distancë, po përjeton tashmë një rigjallërim. Kompani të mëdha si OpenAI dhe Anthropic kanë selitë në qytet, ndërsa mijëra startup-e të reja të inteligjencës artificiale kanë zgjedhur të zhvillojnë aktivitetin aty.
Megjithatë, pas optimizmit fshihen edhe pikëpyetje të mëdha. Çfarë do të ndodhte nëse çmimet e aksioneve të kompanive të inteligjencës artificiale do të pësonin një rënie të fortë dhe investimet në këtë industri do të ngadalësoheshin ndjeshëm?
Disa punonjës të sektorit në San Francisko e konsiderojnë një skenar të tillë plotësisht të mundshëm. Njëri prej tyre, i punësuar në një kompani të madhe të inteligjencës artificiale, shprehet se pret një kolaps të mundshëm, duke vënë në pikëpyetje nëse kompanitë do të arrijnë të justifikojnë shpenzimet e tyre gjigante përballë konkurrencës dhe modeleve gjithnjë e më të lira e të avancuara.
Një tjetër shqetësim lidhet me përqendrimin e investimeve. Sipas një studimi, 60% e kapitalit sipërmarrës të investuar në kompanitë amerikane të inteligjencës artificiale gjatë periudhës 2023-2025 shkoi për biznese me bazë në San Francisko.
Kjo do të thotë se një krizë e mundshme në këtë industri mund të godasë qytetin më fort se pjesët e tjera të Silicon Valley.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se pasojat mund të jenë më të kufizuara nga sa mendohet. Kompanitë e inteligjencës artificiale kanë tërhequr investime të jashtëzakonshme, por kanë punësuar relativisht pak njerëz në krahasim me bumet e mëparshme teknologjike.
Sipas Jeff Bellisario, drejtor ekzekutiv i Institutit Ekonomik të Këshillit të Zonës së Gjirit, numri i vendeve të punës të krijuara nuk është domosdoshmërisht në përpjesëtim me kapitalin e investuar dhe numrin e kompanive të reja.
Kështu, San Francisko gjendet mes dy realiteteve: nga njëra anë, një bum ekonomik që po rigjallëron qytetin dhe po krijon mundësi edhe për bizneset e vogla; nga ana tjetër, frika se varësia e madhe nga inteligjenca artificiale mund ta bëjë ekonominë vendase veçanërisht të cenueshme në rast të një krize të industrisë./ad
