Pentagoni njoftoi se po shqyrton “akuza serioze për sjellje të papërshtatshme” ndaj senatorit demokrat amerikan, Mark Kelly. Vendimi vjen pas një videoje ku Kelly dhe disa ligjvënës të tjerë u bënin thirrje ushtarëve që të refuzonin urdhërat “të paligjshëm”.
Deklarata e Departamentit të Mbrojtjes nuk specifikoi detajet e akuzave, por nënvizoi se të gjithë pjesëtarët e forcave të armatosura kanë detyrimin ligjor për të zbatuar urdhërat e ligjshme, sipas Kodit Uniform të Drejtësisë Ushtarake (UCMJ).
Senatori Kelly, ish-kapiten i Marinës dhe pilot i luftës së Gjirit, tha se mësoi për hetimin përmes një postimi të Pentagonit në rrjetin social X. Ai e konsideroi këtë veprim si një përpjekje intimidimi politik, duke theksuar: “Nuk do të heshtëm përballë atyre që vendosin pushtetin mbi Kushtetutën.”
UCMJ nuk zbaton vetëm për ushtarët aktivë, por edhe për pensionistët e forcave të armatosura, të cilët mund të thirren sërish në shërbim në rast shkeljesh serioze, përfshirë veprime që mund të ndikojnë në besnikërinë dhe moralin e forcave. Pentagonit i mbetet e hapur mundësia për rikthimin e Kelly-t në shërbim aktiv, duke përfshirë edhe gjykim ushtarak ose masa administrative.
Mark Kelly ka një karrierë të shquar si pilot luftarak dhe astronaut, duke kryer katër misione hapësinore për NASA-n nga 2001 deri në 2011. Ai është i martuar me ish-kongresmenin e Arizonës, Gabrielle Giffords, e cila u tërhoq nga politika pas një sulmi të armatosur në 2011.
Hetimi ndaj një anëtari aktual të Kongresit është një ngjarje e rrallë dhe mund të ketë implikime të rëndësishme për marrëdhëniet mes Kongresit dhe strukturave ushtarake amerikane./mxh
