Pentagoni ka vendosur të anulojë planet për vendosjen e përkohshme të rreth 4,000 trupave amerikane në Poloni, në një zhvillim që ka ngritur pikëpyetje mbi strategjinë e ardhshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Evropë.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga Reuters, vendimi është marrë pa një njoftim paraprak zyrtar për Kongresin, duke shkaktuar reagime dhe shqetësime në Uashington. Një zëdhënës i Pentagonit nuk pranoi të komentojë mbi çështjen.
Lëvizja vjen vetëm pak kohë pas raportimeve për tërheqjen e rreth 5,000 trupave amerikane nga Gjermania, në një kohë kur administrata amerikane po rishikon praninë e saj ushtarake në kontinentin evropian.
Sipas burimeve të Reuters, vendimi për Poloninë është pjesë e një riorganizimi afatshkurtër të forcave amerikane, që mund të çojë në zhvendosje të mëtejshme nga Gjermania, ku aktualisht ndodhen rreth 35,000 trupa amerikane.
Ndërkohë, rishikimi i pranisë ushtarake amerikane në Evropë po ndodh në një klimë tensionesh politike dhe të sigurisë, ndërsa Uashingtoni ka shtuar presionin ndaj aleatëve të NATO-s për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe për të marrë një rol më të madh në sigurinë e kontinentit.
Raportimet për mospajtime brenda administratës amerikane dhe mungesë transparence ndaj Kongresit kanë shtuar më tej debatet në SHBA mbi drejtimin e politikës së mbrojtjes në Evropë.
Në këtë kontekst, vendimi për Poloninë shihet si pjesë e një riorientimi më të gjerë strategjik të Pentagonit, ndërsa e ardhmja e pranisë ushtarake amerikane në Evropë mbetet ende e paqartë./A.D
