Për herë të parë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, 300 pacientë do të marrin shërbimin e Trombektomisë gjatë vitit 2026.
Lajmin e bëri të ditur, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e cila prezantoi sot projektbuxhetin e vitit 2026 në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale.
Sala tha se programi i shërbimit të kujdesit spitalor, do të financojë për herë të parë 300 pacientë që do të marrin shërbimin e Trombektomisë në QSUNT, me një vlerë financimi 480 milionë lekë.
“350 pacientë që do tu ofrohet për herë të parë rikonstruksioni i gjirit, me një vlerë financimi 70 milionë lekë. 50 pacientë që do t’u ofrohet për herë të parë procedura e transplantit të kornesë, me një vlerë 25 milionë lekë”, tha ajo.
Ministrja Sala nënvizoi se do të vijojë financimi në 5 spitalet terciale, 11 spitalet rajonale dhe Spitalin “Memorial” Fier, si dhe 27 spitalet bashkiake me një vlerë prej 27,9 miliardë lekësh.
“Këtu përfshihet ofrimi i të gjithë barnave onkologjike, me një vlerë shtesë në buxhetin për barna me 1 miliardë lekë.
1394 pacientë që do të trajtohen me dializë, me një vlerë financimi 2,6 miliardë lekë. 11.930 pacientë që do të trajtohen me paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, me një vlerë financimi 1,4 miliardë lekë, të cilët do të trajtohen në dy spitale terciare (QSUNT dhe QSR Shefqet Ndroqi) dhe dy Spitale Rajonale (Shkodër dhe Fier për kardiologjinë).
22 pacientë që do të trajtohen me paketën e transplantit renal, me një vlerë financimi 23 milionë lekë.
5147 pacientë që do të trajtohen me paketën e kataraktit, me një vlerë financimi 112 milionë lekë”, tha Sala.
Gjithashtu, ministrja Sala shtoi se 200 çifte që do të përfitojnë nga paketa e fertilitetit, me një vlerë financimi 37,5 milionë lekë, ndërsa pritet të realizohen 1250 analiza për Sindromën Down, me një vlerë financimi 6 milionë lekë./e.t
