Një nga çantat më të njohura dhe ikonikë të botës së modës, çanta origjinale Birkin, u prezantua për mediat në Tokio nga kompania japoneze Valuence Japan, e cila e bleu atë për një shifër rekord prej 8.6 milionë euro në një ankand të zhvilluar nga Sotheby’s në Paris më herët këtë vit.
“Kjo histori e çantës është e përputhshme me vlerat që ne duam të ndajmë me shoqërinë dhe botën. Ne besojmë se produktet nuk duhet të flasin përmes çmimit, por përmes historive që përmbajnë filozofinë dhe vlerat e markës. Për ne, kjo çantë Birkin është simboli i asaj që duam të komunikojmë,” deklaroi CEO i kompanisë japoneze, Shinsuke Sakimoto.
Sipas legjendës së modës, çanta e parë Birkin u krijua kur aktorja dhe këngëtarja britaniko-franceze Jane Birkin, gjatë një fluturimi në vitin 1984, i tregoi një ekzekutivi të Hermès, Jean-Louis Dumas, se kishte nevojë për një çantë funksionale dhe elegante për një nënë të re. Si përgjigje, Dumas e skicoi menjëherë dizajnin e çantës me hapësirë të dedikuar për shishet e foshnjës. Pas kësaj, kompania prodhoi një version të personalizuar për të, dhe më pas filloi ta shiste atë në forma të vogla për publikun. Ky dizajn pati sukses të jashtëzakonshëm dhe kontribuoi në rritjen e markës Hermès.
Çanta origjinale Birkin do të ekspozohet për publikun në dyqanin Allu në Omotesando, Tokio, nga 19 deri më 24 nëntor, një mundësi e madhe për ata që duan të shohin nga afër një pjesë të historisë së modës./ MXH
