Deputetja britanike Suella Braverman, ish-ministre e Brendshme, i është bashkuar zyrtarisht partisë populiste Reform UK të drejtuar nga Nigel Farage, duke u bërë një nga figurat më të njohura konservatore që largohet nga Partia Konservatore.
Gjatë prezantimit të saj në një tubim elektoral, Braverman akuzoi ish-partinë e saj se ka gënjyer votuesit për politikat e emigracionit dhe për premtimin për t’u larguar nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Partia Reform UK, sipas sondazheve, renditet aktualisht përpara si të Laburistëve të kryeministrit Keir Starmer, ashtu edhe Konservatorëve të drejtuar nga Kemi Badenoch, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2029, që mund të trondisin sistemin dy-partiak që ka dominuar Britaninë për më shumë se një shekull.
Edhe pse për momentin Reform UK mbetet një forcë e vogël në Dhomën e Komunave, kalimi i Braverman rrit numrin e deputetëve të saj në tetë, krahasuar me mbi 400 deputetë që ka Partia Laburiste. Ajo ndjek shembullin e Robert Jenrick, i cili u bashkua me Reform UK në fillim të këtij muaji.
“Britania është vërtet e thyer”, deklaroi Braverman në krah të Nigel Farage. “Ose vazhdojmë në rrugën e dobësimit dhe dorëzimit, ose e rregullojmë vendin tonë”, u shpreh ajo, duke akuzuar Konservatorët se kanë mashtruar publikun për largimin nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Braverman, 45 vjeçe, ish-juriste, shërbeu për një vit si ministre e Brendshme në qeverinë e ish-kryeministrit Rishi Sunak, por u shkarkua pasi doli kundër qëndrimit zyrtar të partisë për Konventën Europiane. Ajo ka argumentuar se dalja nga kjo konventë është e domosdoshme për të pasur kontroll më të fortë mbi emigracionin.
Partia Reform UK ka deklaruar se, nëse vjen në pushtet, do të largohet nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke e bërë emigracionin një nga pikat kyçe të programit të saj politik./mxh
