Një studim i ri i bërë nga studiues të Carnegie Mellon University, Massachusetts Institute of Technology, Oxford dhe University of California sugjeron se përdorimi i Inteligjencës Artificiale, edhe për vetëm 10 minuta, mund të ketë ndikim negativ në aftësinë e njerëzve për të menduar dhe për të zgjidhur probleme. Sipas kërkimit, pjesëmarrësve iu kërkuan të zgjidhnin probleme të ndryshme, nga thyesa të thjeshta matematikore deri te ushtrime të të kuptuarit të tekstit. Një pjesë e tyre kishin akses te një asistent AI që mund t’i zgjidhte problemet automatikisht.
Por kur ky asistent u hoq papritur, studiuesit vunë re se ata që ishin mbështetur te AI kishin më shumë gjasa të dorëzoheshin ose të jepnin përgjigje të gabuara. Sipas Michiel Bakker, një prej autorëve të studimit, problemi nuk është përdorimi i AI-së në vetvete, por mënyra si përdoret.
“AI mund t’i ndihmojë njerëzit të performojnë më mirë në moment, por duhet të jemi më të kujdesshëm për llojin e ndihmës që ofron dhe momentin kur e ofron”, tha ai. Studimi ngre shqetësime se përdorimi i gjerë i Inteligjencës Artificiale mund të rrisë produktivitetin afatshkurtër, por në të njëjtën kohë të dëmtojë zhvillimin e aftësive bazë për zgjidhjen e problemeve.
Studiuesit theksojnë se këmbëngulja përballë vështirësive është thelbësore për të mësuar aftësi të reja dhe për zhvillimin e kapaciteteve njohëse në afatgjatë. Sipas tyre, sistemet e ardhshme të AI duhet të funksionojnë më shumë si mësues duke udhëzuar, sfiduar dhe ndihmuar përdoruesin të mësojë sesa thjesht duke dhënë përgjigjen e gatshme. Debati mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale te aftësitë njerëzore po bëhet gjithnjë e më i fortë, sidomos në një kohë kur mjete si OpenAI, Anthropic dhe laboratorë të tjerë po zhvillojnë sisteme gjithnjë e më autonome. Përdorimi sa më i paktë i tij do të ruante një ekulibër më të mirë të funksionimit të trurit tonë./ET
