Last Updated on 20/11/2026 by EL
Jennifer Lawrence ka zbuluar disa detaje pikante nga përvojat e saj në sheshxhirime, duke treguar se cili prej aktorëve të njohur me të cilët ka shkëmbyer puthje para kamerave i ka lënë përshtypjen më të mirë dhe cili më pak.
Gjatë një interviste në emisionin “Watch What Happens Live”, ku ishte e ftuar së bashku me Josh Hutcherson, aktorja u përball me një sfidë të veçantë nga moderatori Andy Cohen: të rendiste pesë kolegët e saj nga puthja më e mirë tek ajo më pak e preferuara.
Në listë ishin Josh Hutcherson, Liam Hemsworth, Bradley Cooper, Timothée Chalamet dhe Chris Pratt.
Fillimisht, Lawrence u shpreh me humor se të gjithë kishin qenë të mrekullueshëm, por më pas zbuloi renditjen e saj. Në vendin e parë vendosi Josh Hutcherson, të cilin e ndoqi Liam Hemsworth, Bradley Cooper dhe Timothée Chalamet. Në fund të listës përfundoi Chris Pratt.
Me këtë të fundit, aktorja ka luajtur në filmin “Passengers” (2016), një histori romantike fantastiko-shkencore që rrëfen udhëtimin e dy pasagjerëve në një anije kozmike, të cilët zgjohen nga gjumi i ngrirë 90 vjet para mbërritjes në destinacion.
Habit Princi Harry, gati për të luftuar ndaj Rusisë
Filmi fitoi rreth 303 milionë dollarë në mbarë botën, por mori vlerësime të ndryshme nga kritikët. Lawrence madje ka pranuar më parë se ishte penduar që kishte pranuar rolin, duke treguar se këngëtarja Adele e kishte këshilluar të mos merrte pjesë në të.
“Filmat për hapësirën janë filmat e rinj me vampirë”, i kishte thënë Adele, në një intervistë për “The New York Times” në vitin 2022.
Filmi u shoqërua gjithashtu me thashetheme për një romancë të pretenduar mes Lawrence dhe Pratt gjatë xhirimeve, në kohën kur aktori ishte ende i martuar me Anna Faris.
Faris foli për këto spekulime në librin e saj autobiografik të vitit 2017, duke treguar se publicisti i saj e kishte paralajmëruar për vëmendjen që mund të merrnin dy aktorët nga fotografët dhe mediat.
Ajo pranoi se thashethemet e pavërteta e kishin bërë të ndihej e pasigurt dhe e lënduar, ndërsa theksoi se Jennifer Lawrence nuk kishte bërë asgjë të gabuar dhe madje i kishte kërkuar falje.
Chris Pratt dhe Anna Faris u ndanë në vitin 2017, ndërsa divorci i tyre u finalizua një vit më vonë. Aktori u martua më pas me Katherine Schwarzenegger në qershor të vitit 2019./ET
