Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme po prek edhe dhjetëra mijëra udhëtarë nga Gjermania. Me disa aeroporte të dëmtuara pas sulmeve iraniane dhe hapësirën ajrore të mbyllur pjesërisht, ata janë bllokuar.
Ministri vuri në dukje se ka biseduar me shefin e Lufthansa-s Carsten Spohr dhe shoqëria ajrore ka kapacitete. “Ne duam t’u ndihmojmë gjermanëve për t’u kthyer në shtëpi”, tha Wadephul. Megjithatë kushtet duhet të shqyrtohen për secilin rast individualisht. Ndodhemi në një krizë të madhe, prej së cilës janë prekur edhe shumë gjermanë. Krahas Lufthansa-s ministria është në kontakt edhe me koncernin turistik TUI dhe shoqatën gjermane të udhëtimeve.
Në radhë të parë të sëmurë dhe fëmijë
Prioritet në aksionin e kthimit do të kenë personat vulnerabël si fëmijë, të sëmurë dhe gra shtatzëna. Qeveria mund të nisë avionë privatë me para nga taksat dhe si mjet i fundit mund të përdoren edhe avionët e ushtrisë. Detajet do të sqarohen. Është ende e hapur, se sa avionë mund të mbërrijnë në secilin vend, prej nga mund të realizohen fluturimet.
Ministria e Jashtme llogarit me një numër pasagjerësh të bllokuar në vendet e Gjirit Persik prej rreth 30.000 shtetasish gjermanë. Ata janë bllokuar për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore ose anijeve turistike, që nuk mund të largohen më nga kjo zonë.
Fluturime të posaçme nga Emiratet e Bashkuara Arabe
Në Emiratet e Bashkuara Arabe qarkullimi ajror do të hapet të paktën për fluturime të posaçme. Shoqëria më e madhe ndërkombëtare me seli në Dubai, Emirates, deklaroi se në mbrëmje do të nisë një numër të kufizuar fluturimesh.
Edhe Etihad nga Abu Dhabi deklaroi se të hënën (02.03.2026) do të rifillojë fluturime “duke respektuar rreptësisht të dhënat për sigurinë” për kthimin e pasagjerëve të bllokuar. Ndërsa fluturimet komerciale vazhdojnë të jenë të pezulluara.
Shoqata gjermane e agjencive të udhëtimit DRV thotë se rreth 30,000 udhëtarë janë prekur. Sipas shifrave, ata ose janë tashmë në rajon ose kanë rezervuar fluturime nëpërmjet qendrave atje. Sapo të rihapet hapësira ajrore, operatorët turistikë do t’i informojnë të prekurit për opsionet e tyre të kthimit. /Kb
