Marrëveshjet mes konglomerateve të medias dhe kompanive të teknologjisë u shërbejnë të dyja palëve, ndërsa artistët mbeten sërish mënjanë.
Nga Alexander Avila
Kompania më e madhe muzikore në botë është tani pjesë e biznesit të inteligjencës artificiale. Vitin e kaluar, Universal Music Group (UMG), së bashku me Warner Records dhe Sony Music Entertainment, paditën dy startup-e të AI-së muzikore për përdorimin pa leje të regjistrimeve të tyre për trajnimin e modeleve “tekst-në-muzikë”.
Por muajin e kaluar, UMG njoftoi një marrëveshje me një prej të paditurve, Udio, për të krijuar një platformë muzikore me AI. Njoftimi i përbashkët për shtyp të dy kompanive garonte se label-i do të “bëjë atë që është e drejtë për artistët [e UMG]”. Megjithatë, Music Artists Coalition reagoi: “E kemi parë këtë më parë – të gjithë flasin për ‘partneritet’, por artistët përfundojnë sërish në qoshe me thërrimet.”
Padia është vetëm një nga dhjetëra në gjykatat amerikane. Ndërsa artistët, botuesit dhe studiot argumentojnë se përdorimi i materialit të tyre për trajnimin e AI-së përbën shkelje të të drejtave të autorit, gjyqtarët përpiqen të pajtojnë ligjin ekzistues me një teknologji që vë në pikëpyetje vetë konceptin e autorësisë. Për shumëkënd, ky është një problem ligjor po aq sa një çështje drejtësie. Në procesin Andersen kundër Stability AI, një nga paditë e para kolektive për një gjenerator imazhesh me AI, artistët pretendojnë se përdorimi i veprave të tyre për trajnimin e modeleve pa meritë, shpërblim apo pëlqim “cënon të drejtat e miliona artistëve”.
Nuk ka dyshim se punëtorët kreativë po mbajnë barrën e bumit të AI-së – inteligjenca gjenerative po zëvendëson tashmë punën krijuese. Në janar 2024, më shumë se një e treta e ilustratorëve të anketuar nga Society of Authors thanë se kishin humbur të ardhura për shkak të AI-së, dhe një studim parashikon humbje prej 21% të të ardhurave për krijuesit audiovizivë deri në 2028.
Si kundërpërgjigje, një valë e re aktivizmi ka bashkuar drejtues të industrisë së argëtimit dhe artistë për t’i bërë ballë Big Tech-ut, përmes fushatave online, lobimit të financuar nga publiku dhe padive gjyqësore. Human Artistry Campaign, një koalicion industrish e artistësh, i themeluar mbi parimin se “AI nuk mund të zëvendësojë shprehjen dhe artin njerëzor”, mobilizon krijues dhe drejtues për të mbështetur legjislacionin që mbron artistët nga AI dhe teknogjigantët. Por disa artistë, krijues dhe grupe të të drejtave civile paralajmërojnë për një rrezik tjetër: “përmbajtja e madhe” (big content).
Cilat mund të jenë pasojat e faktit që punonjësit kreativë, me qëllime të mira, rreshtohen krah korporatave të mëdha të medias, të cilat për dekada kanë shfrytëzuar punën e tyre dhe kanë zgjeruar agresivisht të drejtat e autorit kundër interesit publik? Ndërsa disa artistë argumentojnë se “armiku i armikut tim” justifikon bashkimin me ta, kjo logjikë bie poshtë nëse big content dhe big tech po shndërrohen nga “armiq në partnerë”.
Dave Hansen, jurist i së drejtës së autorit dhe drejtor ekzekutiv i organizatës jofitimprurëse Authors Alliance, argumenton se paditë për të drejtat e autorit nuk do t’i mbrojnë artistët nga AI. Përkundrazi, ato do të çojnë në marrëveshje ekskluzive licencimi mes korporatave të mëdha të medias dhe kompanive të teknologjisë, ndërsa “të tjerët do të mbeten në të ftohtë”. Historia i jep të drejtë skeptikëve. Kur industria e teknologjisë dhe ajo e argëtimit negociuan licencimin gjatë fillimit të epokës së streaming-ut, label-et dhe studiot përfituan miliarda, ndërsa muzikantët, shkrimtarët e aktorët mbetën pas.
A do të jetë ndryshimi këtë herë? Kur kompania e AI-së Runway dhe Lionsgate arritën një marrëveshje licencimi, CEO i United Talent Agency, Jeremy Zimmer, pyeti: “Nëse jam artist dhe kam bërë një film për Lionsgate, dhe tani ai film përdoret për të ndërtuar një model AI, a do të kompensohem?” Në disa marrëveshje që vlejnë miliona dollarë mes botuesve dhe kompanive të AI-së, autorëve nuk u është dhënë as kompensim, as e drejta për të mos përfshirë veprat e tyre në dataset.
Edhe nëse gjykatat amerikane urdhërojnë që kompanitë e teknologjisë të paguajnë për të dhënat e trajnimit, pak gjasa ka që artistët të përfitojnë. Krijimi i një regjimi licencimi nën këtë pabarazi fuqie mund të inkurajojë kompanitë e medias t’u imponojnë artistëve kontrata ku heqin dorë nga të drejtat e tyre të trajnimit si kusht punësimi. Disa aktorë zëri janë kërkuar të firmosin pikërisht kontrata të tilla. As licencimi i detyruar nuk do ta frenojë Big Tech-un: Google dhe OpenAI mund ta përballojnë këtë kosto; zhvilluesit më të vegjël dhe open-source, jo. Ironikisht, përpjekja për të “rrëzuar” Big Tech-un përmes të drejtave të autorit, po e konsolidon më shumë fuqinë e tij.
Shumë nga zgjidhjet e propozuara në emër të “mbrojtjes së artistëve” jo vetëm që s’e bëjnë këtë, por mund t’i dëmtojnë edhe artistët edhe publikun. Në SHBA, projektligji NO FAKES, i mbështetur nga koalicione të mëdha të argëtimit, do të krijonte një “të drejtë federale të replikimit dixhital” për të rregulluar deepfake-et. Por grupet e të drejtave civile – përfshirë Center for Democracy and Technology dhe ACLU – e kanë kritikuar gjuhën e paqartë të projektligjit, mbrojtjet e dobëta për lirinë e shprehjes dhe potencialin për abuzim. Projektligji do t’u mundësonte individëve – përfshirë fëmijët – të licencojnë e transferojnë të drejtat e tyre të replikimit dixhital deri në 10 vjet (pesë për fëmijët). Është e lehtë të imagjinohen drejtues studiosh që mezi presin të bindin artistët e rinj të firmosin heqjen dorë nga kontrolli i fytyrës dhe zërit të tyre.
Pse këto zgjidhje janë kaq të mangëta? Sepse shumë nga këto padi, ligje licencimi dhe “të drejta të replikimit dixhital” janë kali i Trojës, brenda të cilit qëndron big content. Copyright Alliance, një organizatë me ndikim që pretendon se përfaqëson “komunitetin e të drejtave të autorit”, avokon për zgjidhje të forta kundër AI-së. Por bordi i saj është i përbërë nga drejtues të Paramount-it, NBC Universal-it, Disney-t dhe Warner Bros-it.
Por pse gjithë kjo bujë për koalicione, kur industria e argëtimit mund të nënshkruajë marrëveshjet e saj miliardëshe me teknologjinë pa zhurmë? Sepse big content ka nevojë për artistët. Perandoritë e tyre mediatike kanë nevojë për punën e artistëve për të fituar, lobimet e tyre kanë nevojë për mbështetjen e artistëve për legjitimitet, dhe partnerët e tyre të rinj të AI-së kanë nevojë për artin e krijuar nga artistët.
E gjitha kjo tregon drejt një strategjie që drejtuesit e argëtimit e trembin shumë më tepër se AI-ja: punën e organizuar. Punëtorët kreativë të organizuar në sindikata, si ato të Writers Guild dhe SAG-AFTRA, kanë siguruar mbrojtje të rëndësishme kundër AI-së përmes grevave dhe negociatave kolektive. E drejta e autorit është një mjet shumë i vjetër, shumë statik dhe shumë i papërshtatshëm për të përcaktuar të ardhmen e një sektori të brishtë të punës krijuese. Nëse big content do të kujdesej vërtet për mbrojtjen e artistëve nga AI-ja, do të ndalte përpjekjet për të shitur zërat dhe fytyrat e tyre si të dhëna trajnimi – dhe do të fillonte t’i dëgjonte.
*Alexander Avila është eseist, shkrimtar dhe studiues i medias./ Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
