Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro vizitoi shkollën “Raqi Qirinxhi” në qytetin e Korçës ku u njoh nga afër me modelet e mësimdhënies dhe mjediset për organizimin e programeve pas shkollore.
“Kjo është një nga shkollat më të vjetra të Korçës që historia e lidh me liceun francez të viteve ’30, një histori e suksesshme. Një shkollë e bëjnë pasioni i mësuesve dhe nxënësve. E ndërtuar në vitet ’70, kjo është një shkollë e pajisur me laboratorë dhe kabinete që e bëjnë të jetë plot gjatë gjithë kohës. Është një udhëtim i vogël që motivon një projekt shumë të veçantë që kemi këtu në Korçë: liceun franko-shqiptar, projekt për të cilin po punojmë që prej një viti këtu në Korçë dhe në Ministrinë e Arsimit, i inicuar nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti francez Emanuel Macron, që sot është në një fazë shumë të avancuar. Kemi përgatitur kurrikulat, programet dhe po punojmë për projektin e shkollës së re, që ta kthejmë në një model kombëtar të ekselencës franko-shqiptar me drejtim të lëndëve shkencore dhe me diploma të dyfishta të maturës të njohura nga ministritë e arsimit të të dy vendeve”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Më tej, duke vizituar mjediset e shkollës, laboratorin, TIK bibliotekën, sallën e radios e podcastit, ministrja Kumbaro u shpreh se buxheti i arsimit për vitin 2026 parashikon një rritje të re pagash prej 36 mijë lekësh në vit për mësuesit./kb

