Të paktën tetë persona kanë vdekur dhe 18 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pasi një anije pasagjerësh u përmbys në brigjet e Qipros veriore, tha kreu i administratës turke atje.
Unal Ustel, kryeministri i republikës së vetëshpallur turke në Qipro, tha se trageti mbante 259 pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit kur filloi të mbushte ujë pasi u nis nga qyteti bregdetar i Kyrenias të dielën.
“Kapiteni i anijes dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit janë ndaluar si pjesë e një hetimi mbi shkaqet e tragjedisë”, shkroi Ustel në mediat sociale.
Zyrtarët thonë se shumica dërrmuese e personave në bord janë shpëtuar. Një operacion kërkim-shpëtimi me autoritetet turke është duke u zhvilluar.
Anija tani është fundosur dhe autoritetet po përpiqen të rikuperojnë kutinë e zezë regjistruese për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur.
Trageti në pronësi private u nis nga vendpushimi popullor i Kyrenias rreth orës 12:30 sipas orës lokale (09:30 GMT).
Ustel tha se anija ishte planifikuar të udhëtonte për në Turqi të shtunën, por ishte vonuar për shkak të kushteve të këqija të motit.
Ai i tha medias turke TRT se varka u godit nga dy valë përpara se të përmbysej.
Ndërsa kapiteni i anijes po përpiqej të rikuperohej nga vala e parë, një valë e dytë goditi anijen dhe ajo filloi të merrte ujë, i tha ai medias.
Helikopterë dhe anije të rojes bregdetare janë dërguar në vendngjarje, ndërsa ambulancat janë stacionuar në plazh, gati për të pritur pasagjerët e shpëtuar.
Üstel shkroi në mediat sociale se “prioriteti tani është jeta njerëzore”, duke shtuar se forcat e sigurisë, ekipet e shpëtimit dhe zyrtarët e shëndetësisë ishin të gjithë në vendngjarje.
Ai shtoi se katastrofa do të hetohet plotësisht dhe “edhe neglizhenca më e vogël do të zbulohet”.
“Askush nuk do të kursehet, pavarësisht se kush është, kush gjendet fajtor ose përgjegjës”, tha Üstel.
Erhan Arikli, ministri i transportit i Republikës së vetëshpallur Turke të Qipros Veriore (TRNC), e cila njihet vetëm nga Turqia, u tha mediave lokale se 100 pasagjerë ishin nxjerrë në breg.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u shprehu ngushëllimet turqve qipriotë dhe tha se përpjekjet për të arritur tek ata që ende rezultojnë të zhdukur “vazhdojnë pa ndërprerje”./kb
