Autoritetet braziliane kanë nisur çmontimin e urës për këmbësorë që të çon drejt “Grykës së Djallit”, një prej pikave më spektakolare të ujëvarave Iguazu, për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të nivelit të ujit. Masa është marrë si masë paraprake, për të shmangur dëmtimin ose shkatërrimin e strukturës nga rrjedha e fuqishme e lumit. Reshjet e dendura të shiut, të lidhura me fenomenin klimatik El Niño, kanë shkaktuar një rritje të ndjeshme të prurjeve të lumit Iguazu. Sipas raportimeve, rrjedha e ujit ka kaluar 12 mijë metra kub në sekondë, më shumë se tetë herë mbi mesataren.
Përballë situatës, autoritetet e parkut kombëtar kanë vendosur të çmontojnë pjesë të urës, përpara se fuqia e ujit të rrezikojë qëndrueshmërinë e saj. Pamjet e publikuara tregojnë punonjësit duke hequr kangjellat mbrojtëse dhe pjesë të tjera të strukturës, ndërsa lumi rrjedh me forcë të madhe poshtë tyre. Ujëvarat Iguazu ndodhen në kufirin mes Brazilit dhe Argjentinës dhe përbëjnë një nga sistemet më të mëdha dhe më të njohura të ujëvarave në botë. Ato shtrihen në një gjatësi prej rreth 2.700 metrash dhe njihen për peizazhin spektakolar dhe prurjet e fuqishme të ujit.
🚨 URGENTE: PELIGROSO TRABAJO | Se está desarmando la pasarela de las Cataratas del Iguazú lado Brasil 🇧🇷 – Caudal 12000m3/s.
📍 Garganta del Diablo. https://t.co/kQz3vZ2qLz
— Santiago Ravidlas (@SantiRavidlasPy) October 13, 2026
“Gryka e Djallit” është një nga pjesët më mbresëlënëse të kompleksit, ku sasi të mëdha uji derdhen në një humnerë të thellë, duke krijuar një spektakël natyror që tërheq vizitorë nga e gjithë bota. Megjithatë, rritja e prurjeve gjatë periudhave me reshje të dendura mund të përbëjë rrezik për infrastrukturën turistike. Për këtë arsye, çmontimi i urës synon të parandalojë dëme më të mëdha dhe të mbrojë strukturën nga forca e ujit.
Raste të ngjashme janë regjistruar edhe në anën argjentinase të ujëvarave. Në vitet 2023 dhe 2024, autoritetet atje mbyllën një pjesë të parkut për shkak të përmbytjeve të lidhura me një cikël të mëparshëm të fenomenit El Niño. Ndërhyrja e fundit në Brazil tregon se kushtet ekstreme të motit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në aksesin e vizitorëve dhe në sigurinë e infrastrukturës në një prej destinacioneve natyrore më të njohura të Amerikës së Jugut./k.m
