Last Updated on 12/07/2025 by adminfjala
Një vajze 24-vjeçareje i është rrezikuar jeta nga pickimi i gjarprit pasi në spitalet e vendit nuk disponohet ilaçi kundër helmimit nga gjarpri.
E reja, e cila jeton në Frashër të Përmetit, u pickua nga një gjarpër. Familjarët lajmëruan menjëherë ambulancën ndërsa menjëherë i injektuan ultracoten. Teksa u shoqërua me urgjencë në spitalin e Përmetit, spitali nuk dispononte antidot kundër helmimit.
Më pas 24-vjeçarja u dërgua në spitalin e Gjirokastrës, por dhe atje spitali nuk kishte mjekimin duke rrezikuar kështu seriozisht jetën e vajzës. Ajo është dërguar tashmë në spitalin e Traumës në kryeqytet ku dhe mori mjekimin e duhur ndërsa e reja rrezikonte që t’i pritej këmba me qëllim që të jetonte.
Në këtë sezon veror, rastet nga pickimi i gjarprit janë shtuar me ritme të shpejta ndërsa në spitalet e qyteteve të Shqipërisë nuk disponojnë mjekimet e duhura duke vënë në rrezik serioz jetën e qytetarëve. m.p.