Dy të rinj janë arrestuar dhe 5 të mitur janë vënë nën hetim për përplasjen masive një ditë më parë para derës së shkollës së Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka” në Shkodër. Policia ka arrestuar një 24-vjeçar dhe një 19-vjeçar, ndërsa 5 të miturit e vënë në hetim, 4 prej tyre janë 17 vjeç dhe njëri 16 vjeç. Burime sqaruan për Report Tv se një prej 17-vjeçarëve që është vënë në hetim, është personi me xhup të kuq që dallohet në videon e sherrit, teksa qëllon me thikë kundërshtarët.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasit K. Th., 24 vjeç, dhe D. K., 19 vjeç, dhe filluan procedimin penal për pesë shtetas të mitur (4 prej tyre 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar). Këta shtetas, në rrugë, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe si pasojë, kanë pësuar dëmtime të lehta dy shtetas të mitur 17-vjeçarë”, njoftoi Policia./K.M
