Last Updated on 02/11/2026 by Monika
Gazetari Blendi Fevziu komentoi përplasjen politike, që tanimë është publike, mes kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, me kryeministrin e njëherazi kryesocialistin Edi Rama.
Në një qëndrim të shprehur përmes platformave sociale, Fevziu e cilësoi reagimin e sotëm të Veliajt si një mesazh të drejtpërdrejtë për Ramën, por siç thekson, historia është më e komplikuar se kaq.
Sipas gazetarit, kjo e hënë shënoi edhe përplasjen e fortë brenda Partisë Socialiste.
Fevziu rreshton tanimë Veliajn ndër kritikët e hapur të PS-së dhe Ramës, pas dy socialistëve, Elisa Spiropali dhe Ditmir Bushati.
Ndër të tjera, Fevziu shprehet se kjo përplasje ka gjasa të ndikojë te zgjedhjet vendore 2027 për Bashkinë Tiranë.
“Historia duket se po bëhet shumë interesante. Ky postim u perceptua nga të gjithë si një mesazh i drejtpërdrejtë për Ramën. Veliaj kërkoi llogari për transferimin. Historia duket tejet e komplikuar, por një gjë është e qartë. Mes Erion Veliajt dhe Ramës ka një përplasje. Midis tyre është dukshëm një përplasje brenda Partisë Socialiste, por do të hapë mjaft probleme. E para, Veliaj vështirë se do të japë dorëheqjen dhe Rama do ta ketë shumë të vështirë të ketë një përballje në Bashkinë e Tiranës, pa pasur në anën e tij stukturat e bashkisë. E dyta, duket se Rama po luan me kandidaturën e Arbër Hajdarit. Kjo është bërë pa dijeni të PS-së. Ku do të shkojë përplasja Veliaj-Rama? A do t’i bindet Veliajt e gjithë struktura e bashkisë që ta ndjekë këtë përplasje? Çfarë po ndodh në PS dhe ditët në vijim është e paqartë. Në PS ka tashmë një zë tjetër publik në një përplasje të hapur. Nuk janë më kritikat e Elisa Spiropalit apo Ditmir Bushatit, por një përballje e hapur publike e Erion Veliajt”,-tha Fevziu./mxh
