Last Updated on 02/11/2026 by EL
Kuvendi nisi diskutimin në komisione për projektbuxhetin dhe paketën e re fiskale, para miratimit brenda këtij muaji. Buxheti me fokus social, nga janari do të dyfishojë bonusin për mbi 800 mijë pensionistë dhe do të mundësojë tjetër rritje përmes indeksimit në prill.
Mbështetje do të ketë edhe për shtresat e tjera në nevojë. Ulja e TVSH-së për mallrat e shportës do të sjellë çmime më të ulëta për to. Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, tha se pas 1 janarit, qytetarët kanë të drejtën e tyre të kërkojnë uljet për të gjithë listën e ushqimeve, që njoftoi kryeministri Edi Rama pak ditë më parë.
Ai theksoi se ulja e TVSH-së do të ndikojë në uljen e çmimit të produkteve. Po ashtu Çoçoli u shpreh se edhe ulja e çmimit të naftës do të përkthehet në më shumë para të kursyera për qytetarët,
“Bëhet fjalë për 54 artikuj, për të cilat i ka të drejtën e tij të kërkojë uljet përkatëse. Masat e reja do të sjellin uljen e çmimit të produkteve të shportës. Do të kemi edhe karburantin më të ulët dhe kjo do ketë ndikim pozitiv”, tha ai.
Sa i përket mbështetjes ndaj pensionistëve, Çoçoli pohoi se kjo shtresë e shoqërisë do ketë arsye që të ndihet më e lumtur për mbështetjen që do përfitojnë në buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Pensionistët në kufijtë e së mundurës që ka buxheti i shtetit duhet të ndihen pak më mirë se deri në fund të këtij vitit, për vitin e ardhshëm buxhetor”, tha ai.
Ai e konsideroi pozitiv synimin e qeverisë për uljen e normës së papunësisë në vend. Ai tha se kjo mbetet një sfidë, por jo e pamundur. Sipas Çoçolit, një nga sektorët, i cili do të sjellë më shumë punësim është sektori i ndërtimit.
“Papunësia është objektiv të ulët në 6%. Sektori i turizmit do të sjellë më shumë të punësuar”, tha ai.
