Last Updated on 13/10/2026 by EL
Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë që t’i kërkojë presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të ndërhyjë ushtarakisht në mbështetje të Arabisë Saudite në konfliktin kundër rebelëve Huthi në Jemen.
Deklaratat e Trump vinë pas përshkallëzimit të tensioneve në rajon, ku sulmet e fundit të rebelëve Huthi në Aeroportin Ndërkombëtar “King Khalid” të Riadit lanë të paktën 18 të vrarë, qindra të plagosur dhe detyruan pezullimin e plotë të fluturimeve.
Duke folur për gazetarët, Trump deklaroi se rebelët Huthi po “sillen shumë keq” dhe se ai mund të kërkojë mbështetjen e Ankarasë zyrtare për të mbrojtur interesat saudite.
“Unë besoj se Presidenti Erdogan do të bënte atë që unë do t’i kërkoja. Presidenti Erdogan është një mik i shkëlqyer i imi. Unë e respektoj shumë atë”, u shpreh Trump.
Përmes një postimi në platformën Truth Social, ai lëshoi gjithashtu kërcënime të drejtpërdrejta ndaj grupit rebel jemenas:
“Ata nuk e mësuan mësimin herën e fundit që i hodhëm në erë. Ata do të jenë këtu pas zgjedhjeve dhe ATA NUK HARROJNË KURRË.”
Kërkesa e mundshme e Trump vjen në një kohë kur Turqia tashmë ka marrë zotime për ndihmë ushtarake ndaj Riadit, në kuadër të një marrëveshjeje trepalëshe të mbrojtjes mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit.
Në një bisedë telefonike me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, presidenti Erdogan dënoi sulmet e Huthëve dhe e siguroi atë se Ankaraja do të qëndrojë krah Riadit. Erdogan konfirmoi se po vazhdojnë përpjekjet për zhvillimin e infrastrukturës operative të kësaj marrëveshjeje të përbashkët./ET
