Një peshkaqen i Groenlandës, i vlerësuar mbi 150 vjeç, është gjetur i ngordhur në brigjet e qarkut Sligo në Irlandë, në rastin e parë të dokumentuar ndonjëherë në këtë vend. Edhe pse ngordhja e tij ishte një humbje për një specie kaq të rrallë, zbulimi u ka dhënë shkencëtarëve një mundësi unike për të studiuar nga afër një prej krijesave më misterioze të oqeanit. Sipas ekspertëve, peshkaqeni i Groenlandës është vertebrori me jetëgjatësinë më të madhe në botë dhe mund të jetojë deri në 400 vjet, ndërsa disa individë që notojnë sot mund të kenë lindur në kohën e William Shakespeare.
Studiuesit kryen një autopsi të detajuar për të zbuluar më shumë mbi biologjinë e kësaj specieje. Ata ekzaminuan lëkurën, organet e brendshme, zemrën, sytë dhe indet muskulore, duke marrë mostra që do të analizohen në laborator. Lentet e syve do të përdoren për përcaktimin e moshës me metodën e datimit me radiokarbon, ndërsa mostra të tjera do të ndihmojnë në zbulimin e shkakut të vdekjes dhe në kuptimin e mekanizmave që i lejojnë kësaj specieje të jetojë për shekuj.
Një nga zbulimet më interesante lidhet me shikimin. Për shumë vite besohej se peshkaqenët e Groenlandës ishin pothuajse të verbër për shkak të parazitëve që u mbulojnë sytë. Megjithatë, studime të fundit tregojnë se retina dhe strukturat e syrit mbeten funksionale edhe pas më shumë se një shekulli jete, duke u përshtatur në mënyrë të jashtëzakonshme me errësirën e thellësive të Oqeanit Arktik.
Edhe zemra e kafshës ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve. Edhe pse kishte shenja të zakonshme plakjeje, si plagë dhe ind mbresor, ajo vazhdonte të funksiononte normalisht. Sipas studiuesve, kjo tregon se peshkaqeni i Groenlandës ka zhvilluar mekanizma biologjikë që e bëjnë rezistent ndaj efekteve të plakjes, një zbulim që mund të ndihmojë edhe kërkimet mbi plakjen te njerëzit.
Pavarësisht madhësisë së tij dhe shpërndarjes së gjerë në Atlantikun Verior dhe ujërat Arktike, shkencëtarët pranojnë se ende dihet shumë pak për këtë specie. Nuk dihet me saktësi ku riprodhohet, sa këlyshë lind apo sa individë ekzistojnë në natyrë. Kjo mungesë informacioni e bën të vështirë mbrojtjen e saj, veçanërisht përballë rrezikut nga rrjetat e peshkimit dhe ndryshimet në ekosistemet detare.
Ekspertët shpresojnë që analizat e vazhdueshme të këtij individi të zbulojnë jo vetëm shkakun e vdekjes, por edhe sekrete të reja mbi një nga krijesat më jetëgjata dhe më enigmatike të planetit, e cila vazhdon të sfidojë njohuritë e shkencës mbi plakjen dhe jetën në thellësitë e oqeanit./ad
