Pete Davidson ka rikthyer në vëmendje marrëdhënien e tensionuar me Kanye West përmes një batute që po bën xhiron e rrjetit.
Gjatë pjesëmarrjes në “The Roast of Kevin Hart” në Netflix, komediani amerikan iu drejtua Tony Hinchcliffe dhe Charlie Kirk me një koment ironik, që më pas u kthye në një nga momentet më të përfolura të mbrëmjes.
“Çfarëdo që të thuash sonte nuk mund të më prekë. Kam kaluar konflikt me Kanye West, kështu që kam dëgjuar nazistë më të mirë”, u shpreh Davidson në skenë, duke shkaktuar reagime të forta nga publiku.
Deklarata u përhap menjëherë në rrjetet sociale dhe riktheu diskutimet për përplasjen e bujshme mes tij dhe reperit.
Konflikti mes dyshes nisi në vitin 2022, kur Davidson ishte në një romancë me Kim Kardashian, ish-bashkëshorten e Kanye West. Në atë periudhë, reperi publikoi vazhdimisht postime dhe mesazhe publike kundër komedianit, duke e sulmuar në rrjetet sociale.
Megjithatë, njerëz pranë Davidson kishin deklaruar asokohe se ai kishte preferuar të mos i përgjigjej publikisht situatës, për shkak të respektit ndaj Kim Kardashian.
Romanca mes Pete Davidson dhe Kim Kardashian zgjati rreth nëntë muaj, ndërsa divorci i saj me Kanye West u mbyll zyrtarisht më vonë po atë vit. Ish-çifti kanë së bashku katër fëmijë.
Kanye West vazhdon të jetë figurë kontroverse për shkak të deklaratave të tij antisemitike, të cilat në vitin 2022 i kushtuan humbjen e kontratave me marka të mëdha si Adidas, Gap dhe Balenciaga.
Në muajt e fundit, reperi ka tentuar të distancohet nga deklaratat e së kaluarës, duke publikuar edhe një mesazh faljeje ku shprehej se nuk është nazist dhe se pendohet për komentet e tij./mxh
