Lideri i partisë Tisza dhe fituesi i zgjedhjeve në Hungari, Péter Magyar, ka deklaruar se vendi i tij mbetet në mënyrë të pandryshuar pjesë e Evropës dhe do të vazhdojë të jetë një shtet i orientuar drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Në fjalën e tij para mediave, Magyar tha se qytetarët hungarezë kanë marrë një vendim të rëndësishëm në zgjedhje, duke riafirmuar, sipas tij, pozicionin e Hungarisë si pjesë e pandashme e Evropës.
Ai theksoi se Hungaria nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe kërkoi të njëjtin respekt nga shtetet e tjera ndaj sovranitetit të vendit të tij.
Sipas Magyar, politika duhet të fokusohet te njerëzit dhe nevojat e tyre, duke shtuar se shumë politikanë në Evropë kanë humbur lidhjen me qytetarët dhe kjo ka sjellë kriza të njëpasnjëshme politike në disa vende.
Ai u shpreh gjithashtu se Evropa përballet me sfida serioze ekonomike dhe sociale, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe ngadalësimit të zhvillimit ekonomik, duke theksuar nevojën për reforma dhe përmirësim të procesit të vendimmarrjes në Bashkimin Evropian.
Magyar shtoi se Hungaria do të jetë një partner konstruktiv në Evropë dhe do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit brenda BE-së dhe NATO-s, duke synuar një qasje më efikase dhe më të koordinuar mes vendeve anëtare./mxh
