I diskutueshëm për heshtjen e tij ndaj Holokaustit, Papa Piu XII u ofroi azil politik shumë antifashistëve. Ai mbeti në Romë edhe nën bombardime.
Një urë lidhëse midis së vjetrës dhe së resë, Piu XII ishte papa i parë që u shfaq në televizion dhe madje i kushtoi atij një enciklikë. Ai u mbiquajt edhe “Princi i Zotit”, si për origjinën e tij aristokratike, ashtu edhe për aurën solemne që dukej se ringjallte madhështinë e lashtë të mbretërve-papë. Pasardhës i një familjeje me lidhje të forta në Vatikan – vëllai i tij Francesco, jurist, luajti një rol të rëndësishëm në Paktet Laterane të vitit 1929 – Pacelli fitoi përvojë të gjerë në botën gjermane gjatë shërbimit të tij si nuncio apostolik në Gjermani.
Apelet e tij rezultuan të kota.
Në vitin 1930, tashmë kardinal, ai u emërua Sekretar i Shtetit nën Piun XI dhe nisi një seri konkordatesh me qeveri të ndryshme. Midis tyre ishte edhe marrëveshja kontroverse me Rajhun nazist, që synonte garantimin e të drejtave të besimtarëve katolikë, por që u shkel sistematikisht nga Hitleri. Pas vdekjes së Papa Rattit, Pacelli ishte kandidati favorit dhe profili i tij i fortë politik e diplomatik tërhoqi votat e konklavës.
Viti fatal ishte 1939-a, në prag të një lufte të re botërore, të cilën Piu XII u përpoq më kot ta shmangte përmes iniciativave dhe thirrjeve diplomatike. Fjalimi i tij i famshëm në radio, në gusht të atij viti, përmbante mesazhin e njohur:
“Asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka mund të humbasë me luftën.”
Kur ky objektiv dështoi, ai u përqendrua në frontin humanitar: mirëpriti udhëheqës antifashistë në Vatikan, krijoi një zyrë informacioni për personat e zhdukur dhe një Komision Papnor për ndihmë ndaj refugjatëve dhe familjeve në nevojë. Ndërkohë, shumë manastire u shndërruan në strehë për hebrenjtë dhe viktimat e përndjekjes politike.
Mbrojtës i qytetit.
Kur Roma u bombardua, ai nxitoi t’u sillte ngushëllim banorëve të goditur. Edhe pas 8 shtatorit 1943, ai refuzoi të largohej nga qyteti, duke mbetur pika e vetme e referencës morale për popullsinë. Për këtë arsye, kur Roma u çlirua në vitin 1944, turma romakësh u dyndën në Sheshin e Shën Pjetrit duke e shpallur atë defensor civitatis.
Në vitet që pasuan, Piu XII u shqua për antikomunizmin e tij të zjarrtë, i cili kulmoi me përjashtimin de facto të të krishterëve që përqafuan ideologjinë marksiste, por edhe për përkushtimin e thellë ndaj Marisë dhe për mësimet e tij të gjera doktrinare. Pas vdekjes së tij shpërthyen polemika, të nxitura nga drama tronditëse “Zëvendësi” e dramaturgut gjerman Rolf Hochhuth, e cila vuri në qendër heshtjen e supozuar të Piut XII ndaj Holokaustit hebre.
Duke u rikthyer disa herë në qendër të vëmendjes – veçanërisht gjatë procesit të lumturimit të Papa Pacellit, i kritikuar edhe nga pjesë të komunitetit hebraik – legjenda e zezë rreth Pastor angelicus (një tjetër nofkë e tij) vazhdon të qarkullojë, ndonëse historiografia bashkëkohore e ka rehabilituar në masë të madhe figurën e tij.
Artikull nga Koleksioni “Focus Storia”, nr. 25 – Nëntor 2019 – Adriano Monti Buzzetti Colella/ Përgatiti për botim: L.Veizi
