Në rrugët e Parisit, reagimet për njoftimin e Presidentit Emmanuel Macron mbi një plan të ri shërbimi ushtarak vullnetar ishin të përziera të enjten. Plani synon të rishikojë Shërbimin Kombëtar Universal, një skemë për të rinjtë që ka pasur më parë vështirësi në tërheqjen e interesit, dhe të rrisë numrin e rezervistëve në 100,000 deri në vitin 2030. Presidenti gjithashtu ka përjashtuar rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i hequr në vitin 1996.
Disa qytetarë shprehën mbështetje të fuqishme për iniciativën. Mehdi Oubaidallah, një nxënës 17-vjeçar i shkollës së mesme, tha: «Paraardhësit e mi luftuan për këtë vend, prandaj jetoj këtu. Nëse do të përballeshim papritur me nevojën për të shkuar në luftë, unë do të shkoja atje».
Por, të tjerë ishin më të kujdesshëm. Walid Sab, 35 vjeç, i cili punon në sektorin e turizmit, u shpreh se ideja është e domosdoshme, por nuk priste një numër të madh vullnetarësh. «Kemi nevojë për njerëz për të mbrojtur Francën, kjo është e sigurt. Por nuk mendoj se do të ketë shumë vullnetarë në këtë mënyrë», tha ai.
Pensionistja Corinne, 62 vjeç, e mirëpriti planin si një mënyrë për të angazhuar të rinjtë. «Në vend që të rrimë rrugëve pa bërë asgjë, mendoj se është më mirë», tha ajo, duke shtuar se nuk besonte se një luftë është e afërt.
Disa qytetarë panë mundësitë morale të shërbimit vullnetar. Kelian Piroux, një turist nga Ain, pranë Lyonit, tha: «Meqë është vullnetare, askush nuk detyrohet ta bëjë. Për ata që duan të ndihmojnë, kjo mund të jetë një mënyrë».
Nga ana tjetër, Olivier Rindzunski, 58 vjeç, punonjës sigurimesh, e interpretoi nismën si një përgjigje ndaj rritjes së kërcënimeve ndërkombëtare. «Fundi i rekrutimit ushtarak erdhi kur kërcënimi i jashtëm po zvogëlohej. Tani kërcënimi është rritur, kështu që e kuptojmë se duhet të riarmatosemi», tha ai, duke paralajmëruar se trajnimi i ushtarëve modernë kërkon kohë dhe para.
Megjithatë, jo të gjithë ranë dakord me qasjen vullnetare. Jean-Claude Gabriel, një veteran 89-vjeçar që ka shërbyer tre vjet në Algjeri, tha: «Ky është një gabim. Duhet të jetë i detyrueshëm. Nëse është vullnetar, të gjithë do të thonë jo».
Plani i Macron shfaqet në një kohë kur perspektiva gjeopolitike globale është bërë më e paqëndrueshme, duke përfshirë kërcënimet e mundshme nga Rusia, dhe synon të rrisë gatishmërinë e Francës për të përballuar sfidat e sigurisë kombëtare në dekadat e ardhshme./mxh
