Bisedimet në Gjenevë mes negociatorëve ukrainas dhe amerikanë shihen me skepticizëm nga qytetarët e Ukrainës.
Shumë banorë thanë se kishin frikë se propozimet amerikane mund ta dobësonin Ukrainën, duke iu referuar planit me 28 pika të propozuar nga presidenti Donald Trump, në të cilën përfshihen lëshime territoriale dhe përgjysmim të ushtrisë.
“Nuk besoj se do të ketë një paqe të qëndrueshme pas këtyre negociatave, sepse palës kundërshtare nuk mund t’i besosh”, u shpreh një qytetare ukrainase.
Ndërsa disa të tjerë e mirëpritën angazhimin ndërkombëtar për mbështetjen ndaj Ukrainës, ndërsa të tjerë theksuan se nuk besonin se do ketë paqe të qëndrueshme duke iu referuar dështimeve të kaluara.
“Plani special i Trump është, në përgjithësi, një kapitullim për Ukrainën. Mendoj se populli ukrainas nuk do të bjerë dakord,” u shpreh kështu një banor i Kievit.
Edhe ushtarët ukrainas që ndodhen në terren janë shprehur po njësoj. Ata deklaruan se nuk do të pranojnë kurrsesi asnjë marrëveshje paqeje që përfshin dorëzimin e territoreve ukrainase.
Sipas tyre, çdo lëshim i tillë do t’i bënte të pavlefshme sakrificat e ushtarëve në front.
“Rusia nuk mund të konsiderohet një partner i besueshëm, duke kujtuar thyerjen e garancive të mëparshme të sigurisë,” shtuan më tej.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është shprehur se nuk do të trathtojë interesat kombëtare./mxh
