Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, të zhvilluara në Gjenevë me synimin për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, janë mbyllur me deklarime të kujdesshme optimizmi. Të dyja palët njoftuan se është shënuar “përparim”, ndërsa u shprehën të gatshme të vijojnë punën në ditët dhe javët në vijim.
Megjithatë, mbeten ende të paqarta mënyrat se si mund të kapërcehet hendeku i thellë mes Moskës dhe Kievit për çështje kyçe, përfshirë statusin e territoreve të pushtuara dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e përshëndeti atë që e quajti “hapa të rëndësishëm”, por paralajmëroi se “problemi kryesor” në procesin e paqes mbetet kërkesa e presidentit rus Vladimir Putin për njohje ligjore të territoreve të pushtuara në lindje të Ukrainës. Sipas tij, një kërkesë e tillë cenon parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe rrezikon të shpërblejë agresionin rus me tokë të marrë me forcë.
Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump komentoi në rrjetet sociale se “diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur”, por shtoi me kujdes: “Mos e besoni derisa ta shihni.”
Nga ana tjetër, Rusia nuk ishte pjesë e bisedimeve në Gjenevë. Kremlini bëri të ditur se nuk ka marrë informacion zyrtar mbi rezultatet e takimit. Zëdhënësi Dmitri Peskov deklaroi se Moska është në dijeni vetëm se janë bërë disa “rregullime” në planin e propozuar, një plan që Putini e kishte përshëndetur më herët.
Javën e kaluar, Ukrainës iu paraqit një plan paqeje me 28 pika, i hartuar nga zyrtarë amerikanë dhe rusë. Elemente të tij u panë si shumë të favorshme për kërkesat e kahershme të Moskës, duke shkaktuar shqetësim të madh në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane.
Ndërsa bisedimet pritet të vazhdojnë, situata mbetet e tensionuar dhe paqartësia rreth kompromisit të mundshëm vazhdon të ushqejë debatet diplomatike në arenën ndërkombëtare./mxh
