Last Updated on 02/09/2026 by EL
Një 42-vjeçar është arrestuar në Aeroportin e Rinasit, pasi në bagazhin e tij u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Ai po udhëtonte drejt Mbretërisë së Bashkuar së bashku me bashkëshorten dhe katër fëmijët e tyre të mitur.
Në pranga u vu Sokol Krasniqi, shtetas shqiptar me nënshtetësi britanike. Sipas Policisë Kufitare, arma u zbulua gjatë kontrollit me skaner në dalje nga Shqipëria. Pistoleta kishte një fishek në fole, ndërsa në karikator ndodheshin edhe gjashtë fishekë.
Krasniqi është me origjinë nga Kosova, ndërsa familja e tij ishte shpërngulur në Kukës që prej viteve ’90. Prej disa vitesh ai jetonte në Mbretërinë e Bashkuar.
Pas arrestimit, 42-vjeçari ka deklaruar se gjatë pushimeve kishte qëndruar në zonën e Tropojës, ku, sipas tij, kishte bërë qitje me disa shokë. Ai ka pretenduar se pistoletën dhe karikatorin i kishte harruar në çantë dhe nuk kishte qenë në dijeni se po udhëtonte me armën e zjarrit.
Policia thotë se rasti u zbulua gjatë kontrolleve të intensifikuara në PKK Rinas, të kryera mbi bazën e analizës së riskut dhe informacioneve të inteligjencës policore, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së aeroportit. Arma u sekuestrua si provë materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”./et
