Last Updated on 28/11/2026 by Anisa
Policia e Shtetit ka përcjellë urimin e saj me rastin e 28 dhe 29 Nëntorit, duke vënë theksin te nderimi i historisë, sakrifica e brezave dhe angazhimi i efektivëve në shërbim të qytetarëve dhe vendit.
Në mesazhin e publikuar me rastin e këtyre datave të shënuara, institucioni i rendit nënvizon se në çdo cep të vendit ku valëvitet flamuri kuqezi dhe ku mbahen gjallë kujtimet e historisë, punonjësit e policisë janë të pranishëm për të garantuar qetësinë dhe shërbimin ndaj komunitetit.
“Në çdo cep të Shqipërisë, aty ku valëvitet flamuri kuqezi, ku historia flet përmes kalave dhe monumenteve, kuqezinjtë bashkohen në nderim të historisë dhe të sakrificës së brezave. Aty jemi edhe ne, punonjësit e Policisë së Shtetit, në shërbim të flamurit, qytetarëve dhe atdheut”, thuhet në reagim.
Në vijim të urimit, Policia e Shtetit shpreh krenarinë për trashëgiminë historike, nderimin për Dëshmorët dhe përgjegjësinë ndaj të ardhmes, duke i cilësuar këto festa si shtylla të identitetit, dinjitetit dhe ekzistencës kombëtare./ad
