Last Updated on 06/04/2026 by Kesjana
Policia në Spanjë ka zbuluar dhe rikuperuar një dorëshkrim të rrallë të shekullit të 17-të, i cili kishte qenë i zhdukur për më shumë se 100 vite.
Dokumenti historik u gjet rastësisht gjatë monitorimit të shitjeve online, ku ishte nxjerrë në shitje për rreth 71,900 euro.
Dorëshkrimi i përket esnafit të kadifesë në Valencia dhe lidhet me urdhëresat e vitit 1479, të nënshkruara nga Ferdinandi Katolik.
Këto rregulla shënuan ngritjen e prodhimit të kadifes nga një zanat i thjeshtë në një aktivitet me status të lartë shoqëror, duke u dhënë prodhuesve privilegje të veçanta.
Sipas autoriteteve, dokumenti ishte zhdukur nga arkivat e Kolegjit të Artit të Mëndafshit në fillim të shekullit XX, mes viteve 1907 dhe 1909, dhe nuk ishte regjistruar kurrë si i shitur zyrtarisht.
Shitësi aktual deklaroi se nuk kishte dijeni për origjinën e tij dhe se dokumenti ishte blerë nga babai i tij në vitet 1970.
Libri, i përpunuar në pergamenë të gjelbër dhe i lidhur me kadife, përmban 26 kapituj të ordinancave të vitit 1479, si dhe statutet e një vëllazërie të themeluar në vitin 1483.
Për momentin, dorëshkrimi do të qëndrojë i depozituar në arkivin shtetëror në Valencia, ku do të analizohet nga specialistët e kulturës.
Edhe pse mbetet pronë e poseduesit aktual, ai do të regjistrohet si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe do t’i nënshtrohet rregullave të rrepta të ruajtjes sipas ligjit spanjoll./kb
