Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar lidhur me njoftimin e bërë pak ditë më parë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, e cila informoi qytetarët për masa të shtuara sigurie dhe rreziqe të mundshme që lidhen me Irani.
“Njoftimi i Ambasadës së SHBA-së është një njoftim në kuadër të praktikave standarde, i shpërndarë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera, dhe nuk duhet interpretuar si arsye për panik”, u shpreh Nufi në një intervistë për Review.
Megjithatë, ai theksoi se institucionet shqiptare të sigurisë janë në gatishmëri të plotë dhe po e ndjekin situatën me seriozitet maksimal. Sipas tij, strukturat operative dhe inteligjente janë të angazhuara çdo ditë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të identifikuar dhe parandaluar çdo kërcënim të mundshëm.
“Shqipëria mbetet në komunikim të përhershëm me qeverinë e SHBA-së dhe me strukturat partnere për çdo zhvillim që lidhet me sigurinë”, theksoi ministri.
Në fund të deklaratës së tij, Nufi dha një mesazh qetësues për qytetarët, duke nënvizuar se vendi është i sigurt dhe i mbrojtur edhe falë anëtarësimit në NATO.
“Nuk ka vend për alarm, por ka vend për vigjilencë, profesionalizëm dhe bashkërendim institucional. Sistemi ynë i sigurisë është i angazhuar plotësisht për garantimin e rendit dhe mbrojtjen e qytetarëve në çdo hapësirë publike”, përfundoi ai.
Në deklaratën e tij të plotë, Ministri Nufi thekson:
“Njoftimi i Ambasadës së SHBA-së është një njoftim në kuadër të praktikave standarde, i shpërndarë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera, dhe nuk duhet interpretuar si arsye për panik. Kjo, natyrisht, nuk do të thotë që ne nuk po e trajtojmë me seriozitetin maksimal.
Institucionet tona të sigurisë janë në ndjekje të vazhdueshme të çdo informacioni, ndërsa shërbimet operative dhe inteligjente bashkëpunojnë çdo ditë për identifikimin dhe neutralizimin e çdo rreziku potencial, në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë. Shqipëria mbetet në komunikim të përhershëm me qeverinë e SHBA-së dhe me strukturat partnere për çdo zhvillim që lidhet me sigurinë. Dua të theksoj se nuk ka vend për alarm, por ka vend për vigjilencë, profesionalizëm dhe bashkërendim institucional. Sistemi ynë i sigurisë është i angazhuar plotësisht për garantimin e rendit dhe mbrojtjen e qytetarëve në çdo hapësirë publike. Shqipëria është e sigurt, edhe falë faktit që është pjesë e Aleancës më të madhe të sigurisë në botë, NATO, dhe ne do të vijojmë të bëjmë çdo gjë të nevojshme për të garantuar qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve tanë.”
