Last Updated on 13/08/2026 by EL
Ndarja nga jeta në mënyrë të papritur për shkak të një ataku kardiak e ish-kryetarit të Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, ka sjellë hidhërim tek miqtë dhe të njohurit e tij, të cilët kanë reaguar me dhimbje në rrjetet sociale.
Ish-ministri i Drejtësisë, tashmë avokat, Eduart Halimi ka reaguar i prekur për ndarjen nga jeta të Halucit, me të cilën rrëfen se është njohur para 35 vitesh në Fakultetin e Drejtësisë. Në një postim në Facebook, Halimi ka bërë publikisht faktin se ish-gjyqtari ka qenë i dënuar me vdekje në regjimin komunist, nën akuzën për një atentat ndaj Ramiz Alisë.
Ndërsa në fund ish-ministri shkruan se e kishin lënë për drekë me Halucin dhe se është penduar që e ka shtyrë takimin me ish-gjyqtarin që sot u nda nga jeta.
“I pabesueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të Skënder Halucit, njeriut që regjimi komunist e kishte dënuar me vdekje!
Na bashkoi Fakulteti i Drejtësisë, 35 vjet më parë. Na afruan padyshim pikëpamjet tona politike, historitë familjare, por mbi të gjitha na lidhi një shoqëri e gjatë.
Kur, në fakultet, më tregoi për herë të parë se regjimi komunist e kishte dënuar me vdekje, nën akuzën për një atentat ndaj Ramiz Alisë, pothuajse nuk e besova. Ishte një histori që dukej e pabesueshme për ne që sapo po njiheshim. Prej asaj kohe u bëmë shokë dhe mbetëm të tillë për më shumë se tri dekada.
Sot më rëndon mendimi se sa herë e shtymë atë drekën tonë. I shtyjmë takimet me miqtë dhe shokët, me bindjen se kemi kohë: jo sot, nesër; jo këtë javë, javën tjetër, jo në gusht por në shtator! Derisa vjen një ditë si kjo dhe kupton se koha nuk na është premtuar, nuk e kemi në dorë. Se disa takime, po i shtymë gjatë, mbeten përgjithmonë pa u bërë”, shkruan Halimi në Facebook.
Edhe nënkryetari i PD-së Belind Këlliçi ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-drejtuesit të Gjykatës së Vlorës. Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi shkruan se Skënder Haluci ishte një mik i rrallë dhe një antikomunist i betuar dhe simbol i dinjitetit e karakterit të pathyeshëm
“E pabesueshme por e vërtetë! Skënder Haluci nuk është më mes nesh. Një mik i rrallë, antikomunist i betuar dhe simbol i dinjitetit e karakterit të pathyeshëm! Pasi regjimi komunist e dënoi me vdekje në 1983, bijtë e po atij regjimi, tashmë të rilindur nën petkun e vettinguesve të partisë shtet, e “ridënuan” për së dyti, duke e shkarkuar nga sistemi i drejtësisë, në vitin 2020.
Me Skënderin u takuam vetëm pak ditë më parë, kur me shumë gëzim më tregoi se do nisej për në Bjeshkë, aty ku dhe zemra tij sot ndali së rrahuri përgjithnjë.
I paharruar Skënder Haluci. Ngushëllimet më të sinqerta familjes e miqve të tij të shumtë, në çdo cep të Shqipërisë, e më tej’’, shkruan Këlliçi.
Po ashtu edhe Xhelal Mziu, deputet i Partisë Demokratike ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-gjyqtarit, ku i ka ofruar ngushëllime familjarëve dhe miqve të Harlucit
“E pabesueshme, por e vërtetë!
U nda nga jeta Skënder Haluci, mik i rrallë, antikomunist i betuar dhe simbol i dinjitetit e karakterit të pathyeshëm.
Regjimi komunist e dënoi me vdekje në vitin 1983. Në vitin 2020, pas 37 vitesh, bijtë e atij sistemi e “ridënuan”, duke e shkarkuar nga drejtësia.
I paharruar, Skënder!
Ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve të tij të shumtë’’, thuhet në postimin e Mziut.
