Ministri polak i Çështjeve Digjitale i bëri thirrje Komisionit Evropian që t’i vendosë kompanisë Meta një gjobë prej 250 milionë eurosh për reklamat mashtruese dhe përmbajtjet e dëmshme që synojnë përdoruesit polakë.
“Ky Perëndim i Egër në platformë duhet të marrë fund”, tha Krzysztof Gawkowski në rrjetin social amerikan X.
“Gjithashtu i bëj thirrje Metas që të prezantojë menjëherë mjete efektive për eliminimin e mashtrimeve, reklamave të rreme dhe promovimit të aplikacioneve të paligjshme”, shtoi ai.
“Mosveprimi dhe dështimi për të luftuar në mënyrë efektive reklamat e dëmshme dhe përmbajtjet mashtruese që synojnë përdoruesit polakë nuk do të tolerohen”, tha ai.
Gawkowski publikoi gjithashtu një pjesë të një letre drejtuar Henna Virkkunen, zëvendëspresidentes ekzekutive të Komisionit Evropian për sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë.
“Shkalla e këtij fenomeni tregon një problem të rëndësishëm me mënyrën se si funksionon reklamimi në një nga platformat më të mëdha online në tregun e vetëm evropian”, thuhej në letër.
Në të shtohej se Meta ka dështuar të ndërmarrë masa efektive, pavarësisht raportimeve të përsëritura nga autoritetet polake dhe ekipet e sigurisë kibernetike.
Thirrja erdhi pas shqetësimeve të reja lidhur me përmbajtjet deepfake, pasi një video e gjeneruar me inteligjencë artificiale, në të cilën imitohej presidenti polak Karol Nawrocki dhe promovohej një skemë mashtruese investimi, raportohet se qarkulloi në Facebook.
Miliarderi polak Rafal Brzoska, themeluesi i kompanisë së dërgesave të pakove InPost, gjithashtu kritikoi së fundmi përdorimin e paautorizuar të imazhit të tij në reklama mashtruese në platformat në pronësi të Metas.
Meta tha se lufta kundër reklamave mashtruese është “një nga sfidat më komplekse me të cilat përballen aktualisht ekosistemet digjitale” dhe se kërkon bashkëpunim mes platformave, qeverive dhe agjencive të zbatimit të ligjit.
Kompania tha se ka hequr rreth 137.000 reklama me origjinë nga Polonia midis korrikut 2025 dhe qershorit 2026 për shkelje të politikave të saj kundër mashtrimit, ndërsa më shumë se 88 për qind e tyre janë hequr para se të raportoheshin nga përdoruesit.
Megjithatë, Gawkowski tha se Meta nuk ka paraqitur masa bindëse ose efektive për mbrojtjen e përdoruesve./mxh