Polonia do të marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një kredi me vlerë miliarda dollarë për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane.
Marrëveshja parashikon një kredi prej 3,44 miliardë eurosh (4 miliardë dollarë) përmes programit amerikan Financimi Ushtarak i Huaj (FMF).
Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, tha se fondet do të përdoren për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane, përfshirë tanket “Abrams”, avionët luftarakë F-16 dhe helikopterët “Apache”.
Sipas zyrtarit amerikan Thomas DiNanno, kjo është marrëveshja e gjashtë e Polonisë në kuadër të programit FMF.
Me këtë marrëveshje, vlera totale e kredive amerikane për Poloninë arrin në rreth 17,2 miliardë euro.
Polonia, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, është një nga mbështetësit kryesorë të Ukrainës në luftën kundër pushtimit rus.
Varshava e konsideron Rusinë një kërcënim për sigurinë e saj dhe vitet e fundit ka rritur ndjeshëm shpenzimet dhe kapacitetet e saj ushtarake./mxh
