Last Updated on 17/12/2025 by Monika
Paris Saint Germain shkroi histori në futbollin francez, duke u bërë klubi i parë nga Franca që fiton një titull global për klube. Skuadra pariziene triumfoi në Kupën Interkontinentale të FIFA-s pas fitores me penallti ndaj Flamengos, në finalen e zhvilluar në Katar. Koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim 1-1, duke e lënë trofeun të vendosej nga pika e bardhë.
PSG e nisi takimin me intensitet, duke tentuar të shfrytëzojë momentet e para të lojës. Pas disa rasteve të krijuara, parizienët gjetën avantazhin në minutën e 38-të, kur një aksion i ndërtuar nga e majta u finalizua nga Kvaraskelia, i cili përfitoi nga një top i dërguar në zonë dhe shënoi për 1-0. Flamengo reagoi gradualisht dhe u bë më i rrezikshëm, duke krijuar disa raste para portës së mbrojtur nga Matvei Safonov.
Në pjesën e dytë, PSG kërkoi të administronte rezultatin, por pa arritur ta mbyllte ndeshjen. Pas rreth një ore lojë, Flamengo fitoi një penallti pas ndërhyrjes së gabuar nga Markinjos në zonë, e konfirmuar nga VAR. Jorginho u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke barazuar rezultatin në 1-1. Në minutat në vijim, ndeshja u karakterizua nga duele të forta dhe ritëm i lartë, me raste të kufizuara nga të dyja skuadrat.
As koha shtesë nuk solli ndryshim rezultati. Të dyja ekipet patën mundësi për të shënuar, por pa konkretizim, duke e çuar finalen në serinë e penalltive. Aty protagonist absolut ishte portieri i PSG-së, Matvei Safonov, i cili priti katër goditje radhazi të lojtarëve të Flamengo-s, duke i dhënë një avantazh vendimtar skuadrës së tij. Për PSG-në, Nuno Mendes realizoi penalltinë vendimtare, duke vulosur fitoren 2-1.
Ky triumf shënoi fitoren e 50-të të PSG-së në të gjitha kompeticionet gjatë vitit 2025 dhe i siguroi klubit trofeun e gjashtë për këtë vit kalendarik.
Për Flamengo-n, humbja do të thotë se suksesi i vitit 1981 në Kupën Interkontinentale mbetet i vetmi titull global në historinë e klubit brazilian./mxh
