Portugalia ka ndaluar mbulimin e fytyrës në hapësirat publike, pasi Presidenti António José Seguro nënshkroi një ligj të propozuar fillimisht nga partia e krahut të djathtë Chega.
Seguro e miratoi masën të martën, duke thënë se ajo trajtonte një çështje me “ndjeshmëri të madhe sociale dhe kulturore”, sipas një shënimi nga Pallati Belém, selia presidenciale në Lisbonë.
Ai tha se ndryshimet e bëra gjatë procesit parlamentar e kishin bindur atë të nënshkruante ligjin.
Masa ndalon veshjet që mbulojnë ose pengojnë shfaqjen e fytyrës në hapësirat publike. Megjithatë, ligji parashikon disa përjashtime, përfshirë raste të lidhura me arsye shëndetësore, profesionale, artistike dhe përdorimin e mbulesave në vende fetare. Për shkeljet parashikohen gjoba që mund të variojnë nga 200 deri në 4,000 euro.
Seguro përmendi integrimin social, mosdiskriminimin dhe sigurinë publike në mbështetje të masës, si dhe vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me mbulesat e fytyrës.
“Për Presidentin e Republikës, fytyra e zbuluar përbën një dimension strukturues të besimit social, një karakteristikë e shoqërisë portugeze. Bashkëjetesa e përditshme bazohet në njohjen reciproke dhe mundësinë e krijimit të një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë midis njerëzve”, thuhet në deklaratë.
“Dhe të pranosh që gratë, dhe vetëm gratë, duhet të fshehin të gjithë fytyrën e tyre, nënkupton një asimetri të papajtueshme me vlerat e barazisë dhe dinjitetit të barabartë midis burrave dhe grave, vlera që formësojnë demokracitë evropiane”, shtoi ajo.
“Nga ana tjetër, në një shoqëri të lirë si e jona, çdo person duhet të jetë në gjendje të jetojë identitetin dhe besimet e veta brenda një sërë rregullash të përbashkëta që ofrojnë një ‘përvojë të përbashkët’, një koncept i pranuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut”, tha ajo.
Ligji u propozua fillimisht nga Chega dhe gjatë procesit parlamentar u riformulua për ta paraqitur ndalimin në mënyrë më të përgjithshme, duke e lidhur atë me sigurinë dhe mbulimin e fytyrës në hapësirat publike, dhe jo vetëm me mbulesat islame.
Amnesty International Portugalia e ka kritikuar ligjin si diskriminues. Organizata ka deklaruar se, pavarësisht heqjes së referencave të drejtpërdrejta ndaj Islamit nga versionet e mëparshme të ligjit, masa mund të cenojë të drejtat e grave myslimane që zgjedhin të mbulojnë fytyrën, si dhe lirinë e fesë, shprehjes dhe autonomisë personale.
Ligji ishte miratuar më herët nga Parlamenti portugez me mbështetjen e partive të djathta dhe të ekstremit të djathtë, përpara se të dërgohej për shqyrtim te presidenti.
Portugalia i bashkohet disa vendeve evropiane, përfshirë Francën, Belgjikën, Austrinë, Danimarkën dhe Holandën, që kanë vendosur kufizime të plota ose të pjesshme për mbulesat e fytyrës në publik./mxh
