Një copëz Shqipërie udhëtoi drejt zemrës së Skocisë, duke sjellë me vete ritmet, ngjyrat dhe emocionet e folklorit shqiptar. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore u prezantua për herë të parë në Edinburg, në një mbrëmje të veçantë artistike nën prezantimin e Suela Demirit, që mblodhi së bashku komunitetin shqiptar dhe publikun vendas me konceptin artistik të drejtorit Sokol Marsi.
Nën titullin domethënës “Shqipëria në sytë e Bajronit”, koncerti u shndërrua në një udhëtim përmes traditave dhe identitetit kulturor shqiptar. Përmes një programi të larmishëm, artistët sollën në skenë pasurinë e këngëve dhe valleve nga veriu në jug, duke dëshmuar larminë dhe veçantinë e trashëgimisë sonë popullore.

Energjia e kërcimit të Tropojës, eleganca dhe karakteri i valles çame, ritmet e valles së Devollit, si dhe interpretimet e solistëve të Ansamblit Flavio Xhaferri, Rei Berisha dhe Mirjan Llapushi krijuan një atmosferë festive dhe plot emocione. Çdo interpretim përcolli një histori, një traditë dhe një pjesë të shpirtit shqiptar, në një skenë ku kultura u bë gjuhë e përbashkët komunikimi mes dy publikeve.
Përtej një koncerti të zakonshëm, kjo dalje përfaqëson një moment të rëndësishëm në historinë artistike të Ansamblit Kombëtar. Prezantimi për herë të parë në Edinburg zgjeron hartën e prezantimeve të tij ndërkombëtare dhe i jep një tjetër mundësi folklorit shqiptar të njihet e të vlerësohet nga publiku europian.

Mbrëmja mori një domethënie të veçantë edhe për faktin se u zhvillua në prag të festave të Nëntorit, duke u kthyer në një takim emocional me rrënjët për shqiptarët që jetojnë larg atdheut. Përmes muzikës, kostumeve tradicionale dhe interpretimeve artistike, ata patën mundësinë të përjetonin nga afër atmosferën e vendlindjes.

Në qytetin që lidhet edhe me kujtimin e poetit Lord Bajron dhe udhëtimin e tij në Shqipëri, ky koncert solli një dialog të veçantë mes historisë, artit dhe kulturës. Një mbrëmje që dëshmoi se kënga dhe vallja shqiptare mbeten ambasadorë të fuqishëm të identitetit tonë kombëtar, kudo ku ngjiten në skenë./k.m
