Last Updated on 18/12/2025 by EL
Biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani ka pritur dje në Tetovë ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani, i shoqëruar nga i biri, Denion Meidani, i cili aktualisht shërben si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, ku Destani e Meidani ndanë kujtime dhe reflektime nga takimet e mëhershme, duke riafirmuar respektin dhe vlerësimin e ndërsjellë.
Lazim Destani ka vlerësuar figurën e presidentit Meidani si një personalitet kombëtar me kontribut të shtrirë në të gjithë hapësirën shqiptare.
Rexhep Meidani vlerësohet edhe për kontributin e tij të çmuar akademik, veçanërisht në ngritjen dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, si dhe më herët në themelimin dhe konsolidimin e Universitetit të Prishtinës.
“Përmes bisedave të ngrohta e vëllazërore, çaste të bukura kaluam duke i kujtuar edhe takimet e mëhershme tonat së bashku. Presidenti Meidani është nga ato figura kombëtare që kontributin e tyre e kanë shtrirë në gjithë hapësirën shqiptare.
Krahas rolit të tij në zhvillimin e demokracisë dhe udhëheqjes së vendit, ai është ndër ata profesorë që kanë dhënë kontribut të pazëvendësueshëm si në ngritjen e Universitetit të Tetovës ashtu dhe shumë kohë më parë në ngritjen e Universitetit të Prishtinës”, shkruan biznesmeni shqiptar nga RMV.
Presidenti Rexhep Meidani, u nderua dje dhe me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tetovës, ku për vite me radhë ka dhënë mësim me pasion dhe përkushtim./e.t
