Last Updated on 23/12/2025 by Monika
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar planet për krijimin e një flote të re luftarake të Marinës së SHBA, të quajtur “Flota e Artë”, ku pjesë qendrore do të jenë anije të reja luftarake që do të mbajnë emrin e tij.
Njoftimi u bë gjatë një eventi në Florida, në praninë e zyrtarëve të lartë amerikanë të mbrojtjes dhe diplomacisë.
Sipas presidentit republikan, ndërtimi i anijes së parë të klasës “Trump”, e quajtur USS Defiant, pritet të nisë së shpejti, ndërsa anijet e para mund të jenë operacionale brenda dy vitesh e gjysmë. Shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se fillimisht janë miratuar dy anije, por plani afatgjatë parashikon ndërtimin e deri në 25 të tilla. Ai i përshkroi anijet si “më të shpejtat dhe më të fuqishmet që janë ndërtuar ndonjëherë”.
“Këto anije të teknologjisë së fundit do të jenë disa nga më të fuqishmet e ndërtuara ndonjëherë. Ne do të kemi edhe nëndetëse të fuqishme dhe shumë prej tyre janë në ndërtim e sipër,” deklaroi Trump.
Projekti është pjesë e një zgjerimi më të gjerë të Marinës amerikane. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se SHBA po mbetet pas Kinës në kapacitetet e ndërtimit detar, ndërsa Pekini zotëron tashmë marinën më të madhe në botë./mxh
