Princi i Uellsit, William, ka rrëfyer mënyrën se si ai dhe Princesha e Uellsit, Catherine, i kanë komunikuar fëmijëve të tyre momentet e vështira që kanë përjetuar gjatë dy viteve të fundit, përfshirë diagnostikimet me kancer të Catherine dhe të Mbretit Charles.
“Ne zgjedhim të komunikojmë më shumë me fëmijët tanë… shumicën e kohës, fshehja e gjërave nga ata nuk funksionon,” tha Princi William gjatë një interviste në Brazil.
Ai shtoi se çdo familje ka sfidat dhe vështirësitë e veta dhe se mënyra se si përballen me to është individuale dhe varet nga momenti. “Është gjithmonë një akt balancimi: sa të thuash, çfarë të thuash dhe kur ta thuash. Nuk ekziston një manual për prindërimin, thjesht duhet të veprosh sipas situatës,” u shpreh ai.
Princi William theksoi se ata nuk i lejojnë fëmijët e tyre të kenë telefona celularë. Ai shpjegoi se kjo ndodh për shkak të aksesit të pakontrolluar në internet dhe për të mbrojtur fëmijët nga informacione të papërshtatshme.
Ai dhe Princesha Catherine kryejnë shumicën e ditëve transportin e fëmijëve në shkollë, duke bërë shaka se ndonjëherë ndihen si shoferë taksie.
Gjatë vizitës së tij të parë në Amerikën Latine, Princi William mori pjesë në ceremoninë e Çmimit Earthshot në Brazil, i cili vlerëson njerëzit dhe projektet që ofrojnë zgjidhje për problemet mjedisore dhe klimatike. Çmimi për secilën kategori është një milion paund, për të mbështetur zhvillimin e ideve.
“Jemi në gjysmën e dekadës së ndryshimit. Nëse duam të lëmë një trashëgimi të qëndrueshme dhe të ndryshojmë mënyrën se si mbrojmë dhe ruajmë planetin, duhet të veprojmë tani,” tha Princi William.
Fituesit e këtij viti përfshijnë një projekt për rikthimin e pyjeve tropikale dhe një iniciativë për një traktat global për oqeanet. Princi William shprehu kënaqësinë për progresin e bërë, duke theksuar se ende ka shumë për t’u bërë në fushën e mbrojtjes së mjedisit./MXH
